Ditë më parë, më saktësisht më 24 janar, ishin kroatët të parët që nisën “luftën” kundër çmimeve enorme të larta. Dhe pas Kroacisë, pa vonuar, kërkesa të njëjta u paraqitën edhe në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, ne Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. Ndërkohë, në Kosovë, në vendin e ranguar si më i varfëri në Europë, ku çdo i pesti qytetar është i varfër, dhe ku çmimet realisht janë ndër më të lartat në rajon, ende nuk ndodhi asnjë reagim, as i subjekteve politike, as i shoqërisë civile, as i asociacioneve që kanë mision mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet me çmime.
Buletini Ekonomik
Në Kosovë, edhe në muajin e parë të 2025-tës, janë shënuar ngritje çmimesh të shumë produkteve. Thuaja në të gjithë sektorët e tregtimit të mallrave në vend, përgjatë gjithë janarit pati çmime të reja të ngritura. Edhe në rajon, sipas njoftimeve që vijnë nga shtetet veç e veç, në këtë fillimvit, pati dhe vazhdon të ketë ngritje çmimesh të shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës. Mirëpo, në shtetet përreth Kosovës dhe përtej, asnjëherë, as në të kaluarën, as tani, qytetarët vet, para së gjithash, nuk i pranojnë lehtësisht ngritjet abuzive të çmimeve. Gjithnjë konsumatorët kanë gjetur mënyra dhe forma për të kundërshtuar edhe publikisht ngritjen e paarsyeshme të çmimeve, dhe në forma të ndryshme ngritën zërin kundër abuzimeve me ngritje çmimesh.
Ditë më parë, më saktësisht më 24 janar, ishin kroatët të parët që nisën “luftën” kundër çmimeve enorme të larta. Kroatët, pa hezituar shumë iu përgjigjën thuaja masovikisht thirrjeve që qytetarët ua bënë njëri-tjetrit për të bojkotuar dyqanet më 24 janar, duke mos blerë asgjë fare në këtë ditë për të kundërshtuar çmimet e larta në Kroaci.
Kroatët ishin mjaft bindës në thirrjet e tyre për të bojkotuar blerjet më 24 janar, si reagim të domosdoshëm kundrejt harbutrisë me çmime në këtë shtet, që për kuptimin ballkanas, rangohet te shtetet e pasura (paga mesatare në Kroaci është afro 1,200 euro, ndërsa buxheti i shtetit është afro 22 miliardë euro). Ata sollën shembuj të bojkotit nga disa shtete europiane, që u dëshmuan të suksesshme duke e zbatuar bojkotin.
“Në Mbretërinë e Bashkuar ka ndodhur e njëjta gjë me karburantin, të nesërmen ka rënë çmimi, e kanë rritur edhe rrogën me 100 paund në muaj”, thuhet ndër të tjera në mesazhet që shpërndaheshin paraprakisht në rrjetet sociale.
Në postimet e tyre ata përmendin edhe shembuj sesi italianët ndaluan së piri kafe në kafene kur çmimet e tyre u rritën pas ardhjes së euros. Thirrjet për bojkot u “dhezën” në Kroaci. Pati edhe komente të shumta. Ndër komentet ishin ata që besojnë se “bojkoti i dyqaneve duhet të zgjasë një javë dhe se një ditë nuk mjafton”.
Në përmbyllje të ditës së 24 janarit 2025, u panë efektet e bojkotit. Në të gjitha marketet, supermarketet dhe megamarketet e këtij vendi, gjirot nga tregtimi ishin më shumë se të përgjysmuara, madje edhe deri në 60 e 70 për qind më të pakta se në ditët pa bojkot. Dhe pas Kroacisë, pa vonuar, kërkesa të njëjta u paraqitën edhe në Mal të Zi. Subjekti Alternativa Mali i Zi, u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë supermarketet dhe dyqanet në vend të premten.
“Të premten bëjmë thirrje për bojkot të supermarketeve dhe dyqaneve në Mal të Zi, të gjitha pa përjashtim, sepse kjo nuk ka të bëjë fare me politikën. Çmimet e larta prekin të gjithë qytetarët njëlloj”, thanë ata në komunikatën për media.
I njëjti aksion është paralajmëruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë për të premten. Pastaj, kërkesa identike fare për të bojkotuar tërësisht blerjet në ditën e fundit të janarit janë bërë edhe në Maqedoninë e veiut dhe në Serbi.
Në Maqedoninë e veriut sot (e mërkurë, 29 janar 2025), Partia e Pensionistëve, ka bërë thirrje që të bojkotohen marktetet ditën e premte, duke e mbështetur iniciativën qytetare për bojkot të marketeve më datë 31.01.2025.
“Partia e Pensionistëve e mbështet plotësisht nismën dhe u bën thirrje anëtarëve të saj, të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që të tregojnë qëndrimin e tyre me veprime konkrete për të bojkotuar të gjithë ata që bëjnë fitime financiare të mëdha, të padrejta dhe joetike në kurrizin e të gjithëve ne”, njoftojnë nga Partia e Pensionistëve të Maqedonisë së Veriut.
Në përkrahje të thirrjes për bojkot, në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar edhe shumë politikanë dhe aktivistë, ndër ta edhe vet kryeministri i këtij vendi.
Ndërkohë, në Kosovë, në vendin e ranguar si më i varfëri në Europë, ku çdo i pesti qytetar është i varfër, dhe ku çmimet realisht janë ndër më të lartat në rajon, ende nuk ndodhi asnjë reagim, as i subjekteve politike, as i shoqërisë civile, as i asociacioneve që kanë mision mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet me çmime.
Kosovarët vazhdojnë të kenë çmime enorme të larta si pasojë e abuzimeve të tregtarëve, të cilët vazhdojnë të shfrytëzojnë inferioritetin e shtetit dhe të pushtetit për të vënë një kontroll dhe një rend minimal në sektorin e çmimeve (gjatë janarit e patën fare të lehtë ngritjen e çmimeve sa deshën dhe kur deshën, sepse për shkak se të gjithë kompetentët janë përqendruar në fushatën parazgjedhore, as që u mor ndokush me ta, as me abuzimet e tyre me çmimet).
Ngritja abuzive e çmimeve në Kosovë, ç’është e vërteta, praktikikisht asnjëherë nuk ka qenë në vëmendje të shtetit e pushtetit, por as e subjekteve politike opozitare. Nuk ishte as në këtë fillimvit. Kësisoj, edhe në këtë muaj kanë rënë në sy sidomos ngritja e çmimeve të shumë produkteve bujqësore, ngritja e çmimit të bukës te shumë bukëpjekës, pa e pasur një të vetmen arsye për ta bërë këtë. Çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, por edhe të vezëve, miellit të misrit dhe të tjera) në janar, kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngitja e tyre te shumica e perimeve, veçmas, ndërsa trendi i çmimeve të larta te vezët ka filluar që më herët, në nëntor dhe dhjetor të 2024-tës.
Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, që nga fundi i dhjetorit dhe në gjithë këto ditë të janarit 2025, ”ngritën krye” çmimet jo pak të rritura, sidomos të perimeve (speci, domatja, lakra), por edhe të disa produkteve bujqësore, që sivjet për shkak të temperaturave enorme të larta, rendimentet në arat e bujqëve të vendit, por edhe të fermerëve në vendet e rajonit, ishin tejet të ulëta siç është rasti me fasulen.
Edhe këtyre ditëve, fasulja vazhdon të jetë produkti, që mbanë rekordin e çmimit më të lartë të deritashëm në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, fasulja, e cilësuar si e mirë nga tregtarët, vazhdon ta ketë arriti çmimin 8, 9, madje dhe 10 euro për një kilogram. Por, çmimet janë ngritur në janar edhe te shumë pemë dhe perime të tjera në tregjet e vendit. Vrojtuesit dhe qytetarët e vlerësojnë si tejet të lartë, madje edhe befasues çmimin e lakrës në tregjet tona. Edhe dje, një kilogram lakër e re (sipas tregtarëve) shitej 1, 20-1, 30 euro kilogrami, ndërsa lakra e vjetër, ajo që është kultivuar në vitin e kaluar kishte çmimin 1 euro kilogrami.
Në Kosovë pra, vërshuan edhe në janar çmimet e ngritura abuzive, dhe u shtuan edhe pasojat. Sipas njohësve të rrethanave në sektorin e çmimeve në vend, për shkak të këtyre ecurive të çmimeve (rritjes abuzive), “shtresa e mesme e shoqërisë në vend është thuajse në prag të falimentimit”. Dita ditës po thellohet varfëria, po bie mirëqenia e kosovarëve dhe numri i njerzëve që kanë nevojë reale për ndihmë për mbijetesë. Këto janë vetëm disa nga pasojat, dhe “kurrgja kurkujt’.
Kosovarët nuk protestojnë as për ngritjen e pandalshme të çmimeve, as për pasojat e prekshme që shkaktojnë çmimet enorme të larta. Ndërsa, për bojkot të marketeve tona ende nuk është dëgjuar ndonjë thirrje, nga askush. /Buletini Ekonomik/