Ish-ministri i Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi thotë se qytetarët blejnë në Kosovë për shkak se inflacioni në Maqedoninë e Veriut është trefish më i madh.
Bekteshi tha se ka “kolaps të vërtet” në pjesën e menaxhimit me rritjen e çmimeve.
“Kemi të dhëna nga Enti Statistikor i Maqedonisë së Veriut, të fundit, të janarit, ku pothuaj se kemi një kolaps të vërtet në menaxhimin me inflacionin, edhe atë nëse krahasohemi me shtete e rajonit dhe jo me shtete e Bashkimit Europian. Për shembull, në janar të këtij viti inflacioni në Republikën e Kosovës ka qenë diku 1.5%, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në pjesën e produkteve ushqimore dhe pijeve ka qenë mbi 5.5%, që është trefish më e lartë se ajo që e kanë qytetarët në Republikën e Kosovës, duke qenë fqinjë, me siguri që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve tonë do ta shohin si mundësi të vizitojnë më shumë Kosovën dhe atje të bëjnë blerje të ndryshme për nevojat familjare”, tha Bekteshi. /TV21