Kryetari i Odës Ekonomike t Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se për bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë mbi 50 punonjës dhe një qarkullim mbi 10 milionë euro, rritja e çmimit të energjisë do të jetë më e madhe, madje mund të arrijë deri në 100%, pasi ato do të detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori 2025.
Buletini Ekonomik
Paralajmërimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike nga 1 prilli me 15 për qind, ka nxitur reagime të shumta të konsumatorëve, por edhe të profesionistëve e zyrtarëve të asociacioneve të ndryshme në vend dhe ka shtyrë aktivistë të ndryshëm të ndërmarrin edhe veprime kundër ngritjes së çmimit të rrymës.
Sipas tyre, ngritja e re e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind është fare e pa arsyeshme, e pa logjikshme dhe do të reflektojë drejtpërdrejt në ç’rregullimin e madh të mirëqenies së shtresave të varfëra dhe të mesme të kosovarëve, edhe ashtu të varfër. Shprehet në këto reagime, të cilat Buletini Ekonomik i ka përmbledhur dhe i ka raportuar për publikun gjatë gjithë javës, edhe frika se pas çmimit të ngritur të energjisë elektrike, do të pasojë rritja zinxhirore e çmimeve të shumë produkteve nga prodhuesit dhe bizneset e vendit.
Luan Hasanaj, inicues i fushatës “Asnjë cent më shumë”, tha se vendimi për shtrenjtimin e rrymës do të ketë efekt zinxhiror të ngritjes së çmimeve në pothuajse çdo produkt.
Ai ndërmori nismën “Asnjëcentmashumë”, hapi peticion online, por nuk përjashtoi as protestat. Kjo pasi, sipas tij, rritja prej 15% e rrymës do të shkojë veç për mbulimin e humbjeve të vitit të shkuar.
Shtrenjtimin e kundërshtojnë edhe përfaqësuesit e bizneseve, për të cilët rritja s’ka arsye. Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka një ndikim të drejtpërdrejt tek qytetarët, duke ndikuar në faturat e amvisërive dhe të bizneseve të vogla.
“Ngritja e çmimit të rrymës prej 15% ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarin, me faturat e amvisërisë dhe bizneset e vogla’’, tha Rafuna.
Ai theksoi se kjo rritje do të ketë pasoja negative, duke ulur standardin jetësor të qytetarëve dhe duke rënduar më shumë ata që tashmë paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Për bizneset e vogla, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në prodhim dhe ofrimin e shërbimeve.
“Kjo rritje pa dyshim ka efekt sepse ndikon në prodhim, ose ofrimin e shërbimeve sa i përket bizneseve të vogla, kurse varfëron qytetarin, e ul standardin jetësor të qytetarit sepse ai tash paguan 15% më shtrenjtë rrymë sesa që ka paguar’’, deklaroi kryetari i OEK pwr Front Online.
Rafuna shtoi se për bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë mbi 50 punonjës dhe një qarkullim mbi 10 milionë euro, rritja e çmimit të energjisë do të jetë më e madhe, madje mund të arrijë deri në 100%, pasi ato do të detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori 2025. Kjo, sipas Rafunës, do të shkaktojë një inflacion të mundshëm dhe një rritje të çmimeve të produkteve, duke bërë që ato të jenë më pak konkurruese në tregun e brendshëm, pasi do të rritet kostoja e prodhimit.
“Bizneset e mesme dhe të mëdha, ato që kanë mbi 50 punëtorë dhe kanë qarkullim mbi 10 milionë, ato janë të detyruara të dalin në tregun e lirë prej 1 qershorit, dhe tek ato rritja nuk do të jetë 15%, por mund të shkojë edhe deri 100%. Kështu që do ta kemi një inflacion për shkak se do të kemi rritje të çmimet e produkteve tona që prodhohen dhe produktet tona nuk mund të jenë konkurrent me produktet e importuara’’, përfundoi Rafuna.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, këto ditë ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësuesit e Odës Amerikane të Kosovës, ku është diskutuar për kërkesat dhe sfidat e biznesit në sektorin e energjisë. Ai, me këtë rast, për dallim nga kreu i OEK, ka theksuar rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë.
Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se takimi kishte për qëllim diskutimin e kërkesave dhe sfidave të biznesit në sektorin e energjisë, me një fokus të veçantë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Gjatë këtij bashkëbisedimi, Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së theksoi rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e parë këtë proces si një hap të domosdoshëm për rritjen e konkurrencës dhe ofrimin e mundësive më të mira për konsumatorët dhe bizneset.
Ai theksoi se ky proces është jetik për zhvillimin afatgjatë të sektorit të energjisë në Kosovë dhe për krijimin e një ambienti të favorshëm për investime. Sipas komunikatës, diskutimi ishte konstruktiv dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet ZRRE-së dhe sektorit privat, me qëllim sigurimin e një tregu energjetik të qëndrueshëm, të hapur dhe konkurrues. /Buletini Ekonomik/