“Mbyllet kompania paralele e ujësjellësit dhe mbeturinave të Serbisë në Shtërpcë”, Rizvanolli: Asnjë institucion i tillë nuk ka vend në Kosovë

Sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artan Rizvanolli.

Sipas saj, kjo u arrit me kërkesë të Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë.  Pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave ‘Novo Javno Preduzece; e cila ka funksionuar në Shtërpcë”.

Tutje ajo tha se Ministria e Ekonomisë sipas mandatit dhe mekanizmave të saj është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

“Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëherit kërkoj nga ta dhe nga Prokuroria hetime të menjëhershme mbi dëmet dhe përfitimet që janë sjellë nga veprimtaria e jashtëligjshme e këtij institucioni paralel të Serbisë”. /Telegrafi/