Është fakt, ngritja e çmimit të rrymës do të ndikojë goxha imponueshëm edhe në ngritjen e çmimeve në sektorë të tjerë, qoftë të prodhimit apo të shërbimeve. Por, është gjithashtu shumë e vërtetë se kjo ngritje e çmimit të rrymës, sado e theksueshme, e madhe dhe me ndikim në afarizmin e shumë bizneseve, nuk i ka goditur njësoj bizneset, shumë prej të cilave tani e sa ditë ‘po i fërkojnë duartë’ në pritje të ngritjes së çmimit të produkteve të tyre, edhe pse mu këto biznese, në bazë të të gjitha analizave, nuk është se do ta kenë të domosdoshme ngritjen e çmimeve si rrjedhojë e çmimeve të reja të rrymës.
Mehmet GJATA
Ngritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë për 16,1 për qind është e paarsyeshme, e palogjikshme dhe në kundërshtim me shumë zhvillime të sektorit energjetik në vend. Shumica absolute e ekspertëve dhe njohësve të rrethanave e kanë kundërshtuar me ngulmë dhe me argumente bindëse ngritjen e çmimit të rrymës. Por, ZRRE-ja si shumë herë deri tash, e ka “shtyrë në të veten”, me dhe pa argumente e ka ngritur për të tretën herë çmimin e rrymës në këto 4 vjetët e fundit dhe e ka bërë çmimin e këtij produkti shqetësues për mirëqenien dhe stabilitetin social të pjesës dërrmuese të popullatës së Kosovës. Këto janë faktet.
Është fakt, po kështu, se kjo ngritje do të ndikojë goxha imponueshëm edhe në ngritjen e çmimeve në sektorë të tjerë, qoftë të prodhimit apo të shërbimeve. Fakt është gjithashtu ngarendja e shumë bizneseve prodhuese dhe jo vetëm, për të paralajmëruar çmime të reja të rritura të produkteve të tyre si pasojë e ngitjes së çmimit të energjisë elektrike. Por, është gjithashtu shumë e vërtetë se kjo ngritje e çmimit të rrymës, sado e theksueshme, e madhe dhe me ndikim në afarizmin e shumë bizneseve, nuk i ka goditur edhe aq shumë disa biznese, të cilat tani e sa ditë ‘po i fërkojnë duartë’ në pritje të ngritjes së çmimit të produkteve të tyre, edhe pse mu këto biznese, në bazë të të gjitha analizave, nuk është se do ta kenë të domosdoshme ngritjen e çmimeve si rrjedhojë e çmimeve të reja të rrymës.
Në këtë kategori, gjithsesi hyjnë bukëpjekësit anembanë Kosovës, shumë prej të cilëve, siç duket, mezi kanë pritur çmimet e reja për të paralajmëruar ngritje çmimi për bukën dhe prodhimet e tjera nga mielli. Shumë bukëpjekës në Kosovë, veçmas në qendrat e mëdha urbane, ku bizneset e tyre me muaj e vite punojnë me fitime enorme të larta, në radhë të parë, si rrjedhojë e çmimeve enorme të larta të bukës kanë paralajmëruar vrullshëm dhe kërcënueshëm se “pas shtrenjtimit të energjisë elektrike për 16.1% në mënyrë automatike do të shtrenjtohet edhe çmimi i miellit dhe rrjedhimisht i bukës dhe se çmimi i një buke mund të shkojë deri në 80 centë (tani një bukë standarde në kryeqytet tregtohet 50-60 centë, dhe ky çmim, pak a shumë është dominues edhe në qendrat e tjera komunale). Sipas këtyre bukëpjekësve, “në të kundërtën fabrikat e miellit rrezikojnë falimentimin”.
Ata (shumë bukëpjekës, pra) në paralajmërimet e tyre me frymë goxha shantazhuese, për të ngritur çmimet e produkteve të tyre kalkulojnë sipas dëshirës duke shtuar se “një kilogram miell aktualisht kushton 34 centë, tash patjetër duhet të bëhet 40 centë sepse nuk mund të mbulohemi”. Por, këto argumentime të insistuesve ngulmues për të ngritur çmimin e bukës, janë të diskutueshme dhe të paqëndrueshme, sipas njohëve të çmimeve në vend. Sepse bukëpjekësit në vend, sidomos në kryeqytet, shumë sish, jo të gjithë, gjithsesi, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, në dhjetor të 2024-tës ngritën çmimin për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre. Ndërkohë, në vitin 2024, siç dihet pati rendimente rekorde të grurit në arat e Kosovës. Nuk ka çmim të ngritur të grurit, as të grurit të importuar, as të atij vendor. Mullinjtë e Kosovës i kanë sillosët e tyre plotë e përplotë grurë, dhe lënda e parë do të duhet të ishte determinuesi qenësor i përcaktimit të çmimit të miellit.
Në këtë moment, pos çmimit të ngritur të rrymës, nuk ka ngritje çmimesh të druve, qirave dhe të disa materialeve më të imëta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg. Rendimentet rekorde të korrura në arat e fermerëve kosovarë gjatë 2024-tës dhe mbushja e sillosëve anembanë Kosovës me grurë vendor, te njohësit e rrethanave, por edhe te qytetarët e rëndomtë, konsumatorët më të mëdhenj të produkteve të miellit nga gruri, ishte e pritshme dhe një mbështetje serioze për të shpresuar që së paku të mos ketë ngritje të çmimit të bukës, ose te optimistët për të shpresuar edhe te ulja e çmimit të bukës, siç nisi të ndodhë në shumë vende të rajonit dhe përtej.
Çmimi ka vazhduar të bie edhe në tregjet ndërkombëtare që nga 2023-ta, kur ulja e çmimit të një tonelate miell u evidentua të jetë në këto tregje rreth 30%. Ose, nga 550 sa ishte toni, më 2023 u ulë në 420 euro. Dhe, trendi I uljes së grurit dhe miellit në tregjet ndërkombëtare ka vazhduar edhe më 2024.
Praktikisht, qëkur është zhbllokuar transporti i grurit nga Ukraina, ka pasur ulje të çmimit të grurit dhe të miellit në botë. Por, duhet thënë se kjo ulje, nuk është reflektuar asnjëherë te çmimi i bukës, të cilin çmim furrëtarët kosovarë e mbajtën artificialisht dhe forcërisht “të fryrë (50-60 centë për bukën normale), edhe përkundër kërkesave nga Shoqata e Mullisve, të cilët vjet, jo një here, u shprehën se “pas zbritjes së çmimit të miellit, duhet të reflektojnë çmimet edhe në produktet ushqimore”.
“Kosova edhe më tutje është e furnizuar mirë me grurë dhe me miell, dhe nëse menaxhohet mirë dhe pa ndonjë manipulim do të ketë edhe më tutje miell të mjaftueshëm”, kanë thënë nga Shoqata.
Sipas një burimi nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, sado që ngritja e çmimit të rrymës është e madhe, nuk është ndonjë arsye e domosdoshme për ta ngritur çmimin e bukës furrtarët.
Vjet, rendimentet imponuese të grurit hoqën edhe dronë e kahershme të kushtëzuar nga mungesat e grurit për import në sasi më të mëdha të këtij produkti, pasi që u tha edhe nga autoritetet edhe nga mullistët se sasia e grurit përmbushë shumë më shumë nevojat e Kosovës për grurë se sa në shumë vite paraprake. Pati, madje edhe ndër zyrtarët që jo një herë deklaruan se sivjet (2024) Kosova e siguron bukën nga gruri vetanak. Dhe, të gjitha këto parashikime u zhvlerësuan që në fillim të dhjetorit 2024, kur disa bukëpjekës të Prishtinës, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, ngritën çmimin për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre.
Më saktësisht, në dhjetor 2024, në disa furra të Prishtinës, çmimi i bukës të ashtuquajtur të thekrës, ose bukës së zezë, që kushtonte deri në fillim të dhjetorit 80 centë, pa asnjë paralajmërim paraprak, as zyrtar e as privat, është ngritur në 1 euro, ndërsa çmimi i një samuni (pitajkë) nga 25 centë, është bërë 30 centë. Ndërsa çmimi i bukës standarde, 500 gramëshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, ç’është e vërteta, ende tek këta furrëtarë kishte mbetur i pandryshuar, 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe vendndodhja e tyre në kryeqytet.
Ndërkohë, në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës, ai I deritashëm del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë, edhe po të krahasohet me çmimet e produkteve të domosdoshme për pjekjen e bukës. Pra, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre edhe në këto kondita.
Furrëtarët dhe bizneset e tyre në Prishtinë, por edhe gjithandej nëpër qendrat e Kosovës, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre dhe prap vazhdojnë të ankohen për marzhën e vogël të fitimit nga buka që shesin. Këto ankesa, që më shumë ngjajnë në shantazhe, mullistë dhe bashkë me ta furrëtarët, po i shfrytëzojnë për paralajmërime ngritjesh të reja enorme të çmimeve, tani edhe të bukës standarde, por edhe të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave. Pjekurinat, dihet, i konsumojnë më së shumti nxënësit dhe fëmijët. Dhe për këtë shkak, furrat në qytetet e Kosovës, sidomos në kryeqytet, shumica e tyre, janë shumë pranë shkollave.
Thjeshtë furrëtarët, shumica absolute e tyre, e sidomos e atyre që bizneset e veta (furrat) i kanë të vendosura dhe kryejnë veprimtarinë rreth e qark shkollave, kanë kërkesë të bollshme karshi ofertës, po kështu të bollshme për pjekurinat e larmishme dhe të shumta, por të gjitha në vëllim dhe peshë fare të vogël. Shesin shumë, qarkullojnë shumë para nga tregtimi i pjekurinave me çmime stratosferike dhe të ngritura boll shpesh në përqindje jo të pakta.
Tani, sërish, disa nga furrtarët në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane të vendit, në rrethanat e reja të krijuara pas ngritjes së çmimit të rrymës, sërish, mbase edhe duke e shfrytëzuar vëmendjen e përqëndruar të pushtetit te krijimi i institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe margjinalizimin total të kontrollit të domosdoshëm të veprimtarive të ndryshme biznesore, edhe të bukëpjekësve, po ngarendin për të paralajmëruar ngritje çmimesh të produkteve të tyre. Gjithsesi, këtë ngarendje e bëjnë edhe në mungesë totale të rezistencës qytetare, të rezistencës së domosdoshme të konsumatorëve, siç bëhet kudo në shtetet normale të botës. Dhe krejt në fund, buka në Kosovë në rrethanat kur mullistët kanë rezerva të mjafteshme të grurit dhe kur fitimet neto të furrëtarëve kosovarë janë imponuese, nuk ka ndonjë arsye të domosdoshme për t’u shtrenjtuar edhe pas ngritjes së çmimit të rrymës. /Buletini Ekonomik/