Përforcimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë–SHBA, takohen Prattipati – Rafuna

Përfaqësuesja e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Prattipati, ka mbajtur një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kjo u bë e ditur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, përmes një shkrimi në rrjetin social “X”.

Gjatë takimit, u diskutua rritja e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Reklama e sponzorizuar

“Anu Prattipati pati një bisedë të frytshme me kryetarin e Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-së”, u theksua në deklaratën pas takimit.

Prattipati theksoi se produktet dhe partneritetet amerikane mbeten zgjedhja e preferuar për bizneset kosovare, duke nënvizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit nën sloganin “Preferred Partner USA”.

Ky takim vijon angazhimin e SHBA-së për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe zgjerimin e mundësive të tregtisë dhe investimeve.

Ditë më parë, pos presidentes Vjosa Osmani, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo kërkesë vjen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e një tarife bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Eksporti dhe importi Kosovë – SHBA

Nga viti 2021 ka pasur rritje të konsiderueshme të sasisë së mallrave të eksportuara të Kosovës në SHBA, ndonëse ajo ka shënuar rënie të theksuar vitin e kaluar.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte 3 milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë.

Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

Në vendimin e bërë publik më 2 prill, përveç tarifës bazë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur po ashtu tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me SHBA-në, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit./Telegrafi/