Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë, tha se të dhënat për vitin 2024 tregojnë një rritje ekonomike prej rreth 4%. Gjatë një interviste në programin “Info Plus” të RTK-së, ai theksoi se Instituti i Vjenës i Studimeve Ekonomike Ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë vlerësuar këtë rritje për vitin 2024. Po ashtu, ai shtoi se trendi i ngjashëm i rritjes pritet të vazhdojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.
Sa i përket lajmit nga Reuters, që raportoi se Millennium Challenge Corporation (MCC) mund të tërheqë të gjitha fondet nga Kosova, Ramosaj theksoi se në këtë fazë nuk duhet politizuar çështja. Ai theksoi se ende nuk dihet nëse kjo do të jetë një ndërprerje e përgjithshme e projekteve apo një ndalesë selektive.
“Ato projekte kontribuojnë në zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve, përfshirë ndikimet e mundshme të SHBA-ve në vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha profesori Ramosaj.
Ai shtoi se e merr me rezervë këtë informacion dhe shprehu kujdes ndaj spekulimeve për pasojat e mundshme, qoftë ato negative, qoftë ato pozitive.