A po zëvendësohet ikja e të rinjëve nga Kosova me punëtorë të huaj?

Derisa për vite të rinjtë e Kosovës kanë ikur nga vendi, dy-tri vitet e fundit punëtorë nga Banglladeshi, Turqia, Pakistani, Tajlanda, Filipine e vende tjera, janë duke u rekrutuar nga bizneset kosovare. Megjithatë, njohës të ekonomisë mendojnë se vështirë që Kosova të mund ta kompensojë ikjen e fuqisë punëtore me punëtorë të huaj.

Mehmet Gjata

Althea, kur erdhi në Kosovë, vitin e kaluar, nuk është se kishte shumë pritje. Krejt çka i interesonte asaj ishte një punë për ta ndihmuar familjen e saj në Filipine. Kompania që ndërmjetësoi punësimin e saj, i tha se do të punonte si dado për një familje në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk e kisha idenë për Kosovën. Më thanë diku në Evropë, por unë doja vetëm të gjeja një punë për ta ndihmuar familjen”, rrëfen Althea përvojën e saj, në një bisedë për Buletinin Ekonomik.

Tash kur kanë kaluar disa muaj që nga ardhja në Kosovë, Althea thotë se ka filluar të ambientohet me vendin dhe njerëzit këtu.

“Më kanë pritur mirë. Kam krijuar edhe miq në Kosovë. Për punën që kryej paguhem gati trefish sa paga që merrja në vendin prej nga vij”, thotë Althea.

Të ardhurat vjetore mesatare për një familje në Filipine nuk arrijnë në 7 mijë dollar.

Standardi i ulët në vendet prej nga vijnë, është njëra nga arsyet kryesore që po i shtynë shumë punëtorë të huaj ta shohin Kosovën si një mundësi për punësim të qëndrueshëm.

Parelelisht, Kosova është duke u përballur me ikje të madhe të fuqisë punëtore vendase, gjë që ka rritur nevojën e bizneseve për fuqi punëtore nga jashtë. Në dyert dhe dritaret e bizneseve në Kosovë janë bërë të shpeshta shpalljet, nëpërmjet të cilave kërkohen punëtorë. Shitës, punëtorë arke, rrobaqepës, kuzhinier e kamerier, janë vetëm disa nga profesionet që po kërkohen më së shumti së fundmi.

Njohësit e ekonomisë thonë se interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye, por kryesisht ato lidhen me mungesën e kontratave, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë, pagën e ulët dhe arsye tjera.

Deri vonë, paga minimale në Kosovë ka qenë 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Kurse paga mesatare bruto – 484 euro. Vetëm vitin e kaluar, paga minimale është ngritur fillimisht në 264 euro, dhe tash së fundi në 350 euro.

Rritja e ardhjes së punëtorëve nga jashtë 

Në Odën Ekonomike të Kosovës kanë treguar se janë dhjetëra kompani që tashmë kanë punësuar punëtorë nga vendet tjera, kryesisht ato aziatike, dhe po aq kompani janë në kërkim të fuqisë punëtore nga jashtë.

“Kërkesa për fuqi punëtore nga jashtë është në rritje. Fuqia punëtore po na vjen nga Bangladeshi, Turqia, Nepali dhe vendet e tjera”, thotë kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna. Sipas tij, Kosova nuk po arrin ta luftojë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punëtorëve nga vendet e tjera.

Rafuna megjithatë thotë se kompanitë kosovare thonë se fuqia punëtore jo gjithnjë po ambientohet me kushtet e punës në Kosovë.

“Kompanitë vendase po raportojnë se fuqia punëtore që po vjen nga vendet aziatike është e pakualifikuar dhe po përshtatet me vështirësi me rrethanat e punës në Kosovë,” rrëfen ai.

Megjithatë, shifrat tregojnë se viteve të fundit Kosova është duke shtuar fuqinë punëtore nga jashtë dhe kryesisht nga vendet më të largëta.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në vitin 2022, Ministria e Punëve të Jashtme ka miratuar rreth 700 viza pune. Më së shumti, kërkesa për viza pune në Kosovë janë pranuar nga Bangladeshi, India, Nepali, Egjipti, Filipinet, Pakistani dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

E sipas statistikave të “Kos Data”, në vitin 2023 në Kosovë kanë punuar rreth 4 mijë shtetas të huaj, ku sipas kësaj, vetëm nga Turqia u punësuan 1 mijë qytetarë.

Burokracia si pengesë për rekrutim

Përkundër kërkesës së lartë për punëtorë të huaj, megjithatë procedurat për ardhjen e tyre në Kosovë nuk janë të lehta. Po ashtu, problem është edhe qëndrimi afatgjatë në Kosovë.

Duke u bazuar në Ligjin nr.04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, Agjencia ka mandat të lëshojë vetëm leje pune afatshkurtra për të huajt deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve, brenda 1 viti. Është i mundur edhe natyralizimi, pastaj bashkimi familjar, si dhe migrimi për çështje ekonomike dhe biznesore.

Ligji për të Huajt në Kosovë rregullon çështjet për dhënien e lejes së punës për të huajt. Sipas këtij ligji, personat fizikë që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune. Qeveria e Kosovës cakton çdo vit numrin e lejeve të punës për shtetas të huaj.

Për ta shmangur këtë, bizneset po i pajisin punëtorët nga jashtë me vizë afatgjatë për biznes dhe me leje qëndrimi, e cila ua garanton edhe lejen e punës.

Ëorld Talent Link është njëra nga agjencitë e rekrutimit që ndërmjetëson ardhjen e punëtorëve të huaj në Kosovë.

Andi Dërguti nga kjo agjenci thotë se merren me rekrutimin e punëtorëve të huaj nga Pakistani. Deri tani, përmes kësaj agjencie kanë ardhur rreth 30 punëtorë në Kosovë, ndërsa në proces janë edhe 80 tjerë.

“Kryesisht janë të sistemuar në ndërtimtari, fabrika të ndryshme, depo me shumicë, furra të bukës dhe mobileri”, thotë Dërguti.

Sipas tij, pagat për punëtorët që ka sjellë kjo agjenci, në të gjitha rastet janë mbi 500 euro. Ai thotë se ka raste kur pagat shkojnë edhe mbi 1 mijë euro, varësisht prej profesionit apo zanatit. Ndërkaq, paga mesatare në Pakistan është nga 100 deri në 150 euro.

Kjo është arsyeja që e ka shtyrë *Ahmadin që të vijë në Kosovë, përmes agjencisë Ëorld Talent Link.

Ai punon në gastronomi dhe thotë se është shumë i kënaqur me kushtet.

“E ndihmoj edhe familjen në Pakistan”, thotë ai gjatë bisedës, teksa shton se ka filluar të mësohet edhe me ambientin në Kosovë.

“Në fillim e kam pasur problem pak kohën. Por tash jam ambientuar. Njerëzit këtu janë miqësor,” shton ai.

Dërguti tregon se do të sjellnin më shumë punëtorë, sikur procedurat e ardhjes mos të ishin kaq të komplikuara. Të gjithë punëtorët që vijnë në Kosovë, fillimisht duhet të mbushin një aplikacion online në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj nëse miratohen dokumentet përcjellëse, duhet edhe miratimi i vizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Të dy këto ministri nuk janë përgjigur në pyetjet e Buletinit Ekonomik, sa i përket procedurave dhe numrit të punëtorëve të huaj që kanë ardhur në Kosovë apo kanë aplikuar.

Pse po vijnë të huajt e po ikin kosovarët?

Nga Aleanca Kosovare e Bizneseve thonë se kjo po ndodh për shkak se Kosovës po i ikin punëtorët për një standard më të mirë.

“Janë disa shtete që dëshirojnë të vijnë punëtorët, si: Turqia, Bangladeshi, India, po ashtu edhe nga shtetet arabe, për të cilat Kosova jo që e ka hapur ndonjë mundësi të re për të punësuar fuqi punëtore nga të huajt, por se nga Kosova po ikin punëtorët tanë për të gjetur një standard më të mirë në shtetet e Perëndimit, thotë Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Ai mbetet skeptik se ardhja e shumicës së të huajve në Kosovë është për shkak të planeve për të qëndruar në vendin tonë në afatgjatë.

“Ata që po vijnë nga jashtë po e shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit për të qenë këtu dhe për të pasur mundësi nga Kosova për të ikur diku tjetër”, thotë ai për Buletinin Ekonomik.

Edhe njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, është i të njëjtit mendim.

“Kam dron që shumica e tyre që vijnë në Kosovë e përdorin si momentum për të ikur diku në Europë. Besoj që bashkërisht duhet të lobojmë dhe të dialogojmë për të ngritur vetëdijen jo vetëm te të rinjtë, por edhe te bizneset e Kosovës, që të bëjnë më tepër për punëtorët dhe kushtet e tyre,” thotë Gërxhaliu për Buletinin Ekonomik.

Megjithatë, sipas Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, shumë prej këtyre punëtorëve të huaj kanë filluar të përshtaten në sektorë të ndryshëm të gastronomisë dhe nuk po lëvizin nga Kosova.

“Kuzhina, sektorë të caktuar brenda gastronomisë, të cilat nuk kanë shumë komunikim me klientë, por ka edhe të huaj të cilët po e mësojnë gjuhën edhe po përshtaten për pjesën e shërbimit të jashtëm,” thotë Petrit Kllokoqi nga kjo shoqatë.

E përderisa të rinjtë kosovarë me dekada kërkojnë një jetesë më të mirë gjetiu në Evropë, për qytetarë të vendeve të varfëra edhe Kosova mbetet një mundësi jetësore.

Për Ahmadin nga Pakistani, Kosova bën pjesë në planet më afatgjate të tij. Ai thotë se me pagën që e merr në Kosovë, as që e ka “njëherë ndërmend të lëviz prej këtu”. /Buletini Ekonomik/

Shënim:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e BULETINIT EKONOMIK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.