E vërteta për gazin: Çka thonë ekspertët e energjisë?

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, ideja për ndërtimin e një termocentrali (TC) me gaz në Kosovë u rikthye në debatin publik, si një alternativë ndaj prodhimit të energjisë nga qymyri. Megjithatë, përtej deklaratave politike, mbeten shumë pikëpyetje nëse Kosova ka infrastrukturën, kushtet teknike dhe leverdinë ekonomike për një investim të tillë.

Ekspertët e energjisë që janë më skeptik rreth një projekti të tillë, vlerësojnë se pengesa kryesore nuk është vetë termocentrali, por mungesa e rrjetit të gazit dhe kostoja e lartë që do të kërkonte ndërtimi i tij. Sipas tyre, kushti i parë për ndërtimin e një termocentrali me gaz është ndërtimi i infrastrukturës (gypave) që do ta lidhnin Kosovën me rrjetet rajonale të gazit. Kosova aktualisht nuk ka rrjet të gazit natyror. Duhet të ndërtohet një interkoneksion me rrjetet rajonale përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë, në mënyrë që vendi të lidhet me tregun e gazit dhe me gazsjellësin TAP ose terminalet LNG në rajon. Kjo do të nënkuptonte investime të mëdha jo vetëm në centralin energjetik, por edhe në infrastrukturën përcjellëse të gazit.

Përveç gazsjellësit, projekti do të kërkonte studime të fizibilitetit, leje mjedisore dhe energjetike, sigurim të furnizimit afatgjatë me gaz si dhe integrim të kapaciteteve të reja në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës.

Lazër Krasniqi, ekspert i energjisë dhe ish-drejtor i Elektrokosovës, vlerëson se në praktikë termocentralet me gaz zakonisht nuk përdoren si burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike. Sipas tij, këto centrale shërbejnë kryesisht për ndërhyrje të shpejta kur bien nga sistemi kapacitetet ekzistuese të prodhimit.

“Eksploatimi i termocentraleve me gaz është kryesisht për ndërhyrje të shpejta në rastet e rënieve të kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike. Shfrytëzimi i tyre është rreth 2,500 orë në vit, krahasuar me termocentralet me qymyr, centralet bërthamore apo hidrocentralet që operojnë rreth 6,000 deri në 7,000 orë në vit”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, kjo nënkupton se një central me gaz do të kishte rol kryesisht mbështetës dhe jo domosdoshmërisht do të zëvendësonte termocentralet ekzistuese me qymyr.

Një tjetër aspekt teknik që shpesh anashkalohet është nevoja për ujë. Centralet moderne me gaz, veçanërisht ato me cikël të kombinuar (CCGT), kërkojnë sasi të konsiderueshme të ujit për ftohjen e pajisjeve, prodhimin e avullit dhe sistemet ndihmëse industriale. Megjithëse nevojat për ujë këtu janë më të ulëta sesa tek termocentralet me qymyr apo centralet bërthamore, ekspertët thonë se sigurimi i burimeve të qëndrueshme të ujit mbetet një çështje që duhet adresuar paraprakisht.

Një sfidë tjetër është furnizimi me gaz. Sipas Krasniqit, Kosova nuk ka rezerva të veta të gazit, gjë që do ta bënte vendin krejtësisht të varur nga importi. Krasniqi shpreh skepticizëm rreth këtij investimi, sidomos nëse financimi i infrastrukturës do të binte mbi taksapaguesit ose konsumatorët kosovarë.

“Nëse SHBA investojnë komplet gazifikimin e Kosovës me gaz amerikan, urdhëro. Nëse Kosova duhet të shpenzojë mjete vetanake për gazin amerikan, larg saj”, vlerëson ai.

Sipas tij, përvoja në rajon tregon se edhe kur infrastruktura e gazit ekziston, shtrirja e saj tek konsumatorët nuk është e garantuar. Ai sjell si shembull qytetin Poreç në Kroaci, ku rrjeti i gazit ka dekada që është i disponueshëm, por furnizimi real ka mbetur i kufizuar.

Në anën tjetër, njohësi i energjisë Luan Shllaku, nuk e sheh me kaq skepticizëm sa Krasniqi një projekt të tillë, por ka kritikuar mënyrën sesi është duke u zhvilluar debati rreth këtij projekti. Përmes një statusi në rrjetin e tij social facebook, Shllaku thotë se debati rreth një projekti me gaz në Kosovë, është zhvilluar në mënyrën më të gabuar të mundshme dhe në kulmin e një fushate parazgjedhore, e “jo si për një nga vendimet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen energjetike të Kosovës”.

Ai përmend tri mundësi të furnizimit me gaz për Kosovën.

“Tre vjet më parë, në analizën “A i duhet gazi Kosovës?”, kam paraqitur tri mundësi të furnizimit me gaz. E para është lidhja me gazin amerikan LNG, i cili arrin në terminalin e Aleksandropullosit në Greqi dhe, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, mund të arrijë edhe në Kosovë. Për këtë opsion ekziston madje edhe një para-studim fizibiliteti, i dorëzuar institucioneve të Kosovës, por i refuzuar prej tyre. Opsioni i dytë është lidhja me TAP-in, përkatësisht me gazin që vjen kryesisht nga Azerbajxhani. Bashkimi Evropian tashmë ka studiuar mundësinë e një degëzimi nga Shqipëria drejt Kosovës dhe më tej drejt Malit të Zi. Opsioni i tretë është gazifikimi i linjitit të Kosovës, një teknologji të cilën Kosova e ka zhvilluar për gati dy dekada, nga viti 1970 deri më 1989”, thotë Shllaku.

Sipas Shllakut, pyetja thelbësore nuk është se cili prej këtyre tre opsioneve është më i miri.

“Ka shumë mundësi që përgjigjja e saktë të mos jetë vetëm njëri prej tyre, por kombinimi i të paktën dy alternativave. Kjo nuk mund të vendoset me deklarata politike, por vetëm pas studimeve serioze të fizibilitetit”, vlerëson ai.

Ndryshe, derisa debati në Kosovë rreth një projekti me gaz është ndezur kohët e fundit, në anën tjetër sa i përket infrastrukturës rajonale të gazit, mbetet shumë për t’u bërë. Gazsjellësi ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2027. Projekti do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut qasje në gazin që arrin përmes terminalit LNG në Aleksandropolis të Greqisë, përfshirë edhe gazin e lëngshëm amerikan. Pas përfundimit të këtij projekti, Kosova do të duhej të ndërtonte lidhjet e veta me rrjetin maqedonas, gjë që do të kërkonte investime shtesë dhe kohë. Në përgjithësi, përkrahësit e termocentralit me gaz argumentojnë se ai do të kishte emetime më të ulëta se termocentralet me qymyr dhe mund të ndërtohej më shpejt. Megjithatë, kundërshtarët paralajmërojnë se Kosova rrezikon të zëvendësojë varësinë nga qymyri me një varësi të re nga importi i gazit dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. /Buletini Ekonomik/