Tenderët në Komunën e Podujevës: Auditori zbulon kontrata milionëshe pa përmbushur kriteret

Zyra Kombëtare e Auditimit ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e shpërblimit të disa tenderëve në Komunën e Podujevës, duke konstatuar se operatorë ekonomikë janë shpallur fitues dhe kanë nënshkruar kontrata edhe pse nuk i kishin plotësuar kriteret e përcaktuara në dosjet e tenderit.

Sipas gjetjes B3 të raportit të auditimit për vitin 2025, në tri raste konkrete, komuna kishte lidhur kontrata me operatorë ekonomikë, ndonëse dokumentacioni i kërkuar sipas kritereve të tenderit mungonte ose nuk përputhej me kërkesat.

Njëri prej rasteve lidhet me tenderin për “Rregullimin e infrastrukturës së varrezave të qytetit”, me vlerë mbi 1.15 milion euro, ku operatori fitues nuk kishte ofruar dëshmi për qarkullimin vjetor të kërkuar prej së paku 1.7 milion euro gjatë tri viteve të fundit fiskale.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, në tenderin “Ndërtimi i kuzhinës qendrore për fëmijë dhe nxënës të shkollave në Podujevë”, me vlerë 698 mijë euro, operatori ekonomik kishte dorëzuar një certifikatë tjetër nga ajo e kërkuar në dosje, duke mos e përmbushur kriterin teknik të vendosur nga autoriteti kontraktues. Një rast i ngjashëm është evidentuar edhe te projekti “Ndërtimi i parkut industrial bujqësor në Sfeçël”, ku dokumenti i kërkuar sipas standardit ISO nuk ishte ai që kishte dorëzuar operatori fitues.

Auditori vlerëson se këto raste kanë ndodhur si pasojë e kontrollit jo të mirë në vlerësimin e tenderëve, konkretisht në verifikimin e përmbushjes së kritereve të dosjes së tenderit. Sipas raportit, kontraktimi i operatorëve pa i përmbushur kushtet cenon transparencën, barazinë dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik. /Kujdestari.info/