Edhe Hoti refuzon ftesën e Bislimit për të diskutuar rreth pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë

Edhe ish-ministri i Financave Avdullah Hoti, ka refuzuar ftesën e ministrit në detyrë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për të diskutuar rreth pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Hoti ka vlerësuar se kjo tryezë nuk shërben për asgjë.

“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy here radhazi e shkel kushtetutën. Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa në kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka shkruar Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Hotit, “në fakt, plot vendime të qeverisë imponoheshin nga ai pa asnjë konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat në makineri votimi”.

“Pak humor, por është fakt se disa herë më parë kanë ardhur ministrat në takimin e qeverisë e mandej iu është shpërndare agjenda e takimit. Prandaj, edhe kjo tryeze që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij. Tani, në vend qe ai vetë të kërkojë që sa më parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bene lloj lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet”, ka shkruar Hoti.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit Hoti, “prandaj, duhet të themelohet sa më parë një Qeveri e re që nuk e shkel kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombëtarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë”.

Sot gjatë ditës edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e së martës, të ftuar nga ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, me arsyetimin se një iniciativë e tillë është e vonuar dhe se kjo qeveri nuk ka legjitimitet.

Dje, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, u ka shkruar letër të gjithë ish-ministrave të kësaj ministrie, dhe Guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, të cilëve, u ka bërë ftesë për konsultim rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë.