Mjetet e Pakos Emergjente të Qeverisë së Kosovës, po dyshohet se janë keqpërdorur që nga fillimi i shpërndarjes së tyre. Dyshime ka se këto mjete po vazhdojnë të keqpërdoren edhe më tutje. Mbi këto dyshime, Drejtoria për hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës tashmë ka nisur hetimet. Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi, shumë kompani kanë marrë mjete financiare, por nuk iu kanë takuar.
Pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë dhe masave që ish-Qeveria Kurti kishte marrë për parandalimin e përhapjes së virusit, shumë biznese u detyruan të ndërprisnin veprimtarinë e tyre.
Masat lejojnin që vetëm disa nga bizneset të ushtronin veprimtarinë e tyre.
Si pasojë e kësaj, shumë biznese u mbyllën përkohësisht e si rrjedhojë shumë punëtorë mbetën në shtëpi.
Qeveria krijoi Pakon Emergjente, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që për shkak të pandemisë i humbën të ardhura financiare.
Por, duket se dikush i mori këto mjete megjithëse nuk i takuan.
Këto dyshime i ka ngritur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Pavarur të Kosovës, Jusuf Azemi.
Ai i ka thënë Gazetës Express se keqpërdorimet më të mëdha janë bërë nga kompanitë të cilat kanë kontratë me institucionet shtetërore.
Sipas Azemit, këto kompani që kanë kontrata me ministritë përkatëse dhe janë paguar nga to, kanë shfrytëzuar edhe mjetet financiare nga Pakoja Emergjente Fiskale.
“Ministritë kanë kontratë me ato kompani dhe ua kanë përcjellë paratë pa marrë parasysh a ka qenë pandemi apo jo, kompanitë e kanë shfrytëzuar kontratën që ka qenë e ligjshme, i kanë përfituar paratë dhe në anën tjetër të gjitha kompanitë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për këta punëtorë, në momentin që paratë kanë shkuar në llogaritë e punëtorëve për aq sa ua ka transferuar ministria, kompanitë ua kanë ndalur punëtorëve në paga, të gjitha këto mjete kanë mbetur në fondin e kompanive private”, ka thënë Azemi.
Po, përveç kompanive të cilat kanë kontratë me institucionet publike, Azemi thotë se keqpërdorime janë bërë edhe nga kompanitë tjera private.
“Ka shumë kompani që veprimtaria e tyre nuk ka qenë e ndaluar me Ligj, punëtorët kanë punuar, pronarët e kompanive kanë fituar dhe po për këta punëtorë e kanë kërkuar pagën prej 170 eurove të cilën e kanë përfituar. Kompanitë iu kanë shkruare-mail punëtorëve dhe iu kanë thënë se do të ua ndalim në paga mjetet e dala në llogari. Nuk është dashur të aplikojnë fare”, ka thënë Azemi.
“Marketet nuk kanë pasur asnjëherë më shumë punë se në atë periudhë, në bazë të vendimit thuhet se do të kenë shtesë të mjeteve vetëm ata punëtorë që kanë pasur kontakt direkt me konsumatorët, aty është paraparë kontakt direkt ka pasur vetëm arkëtarja, kompanitë i kanë futur të gjithë punëtorët dhe kanë përfituar të gjithë njëjtë për këtë”, ka deklaruar Azemi.
Azemi thotë se rreth dyshimeve për keqpërdorime të mjeteve financiare e kishte vënë në dijeni edhe ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin.
Madje ai thotë se e kishte paralajmëruar atë se nëse mjetet financiare nuk kthehen në fondin e Qeverisë, do t’i padisnin kompanitë të cilat i kishin keqpërdorur ato.
“Ne në fillim e kemi njoftuar ish-ministrin e Financave, Besnik Bislimi, i kemi ofruar argumente, i kemi thënë se nëse mjetet nuk kthehen në fondin e Qeverisë ose në fondin e punëtorëve, i kemi paralajmëruar se do të bëjmë padi ndaj kompanive”, ka thënë Azemi.
“Jemi takuar me Prokurorin e Shtetit dhe drejtorin e Krimeve Ekonomike, ata kanë zhvilluar procedurat ligjore. Unë jam intervistuar për dy orë, i kam ofruar të gjitha argumentet për keqpërdorime, ata kanë filluar procedurat”, ka deklaruar ai.
Azemi thotë se për çështjen e keqpërdorimeve e ka lajmëruar edhe ministren aktuale të Financave, Hykmete Bajramin.
Sipas tij, keqpërdorimet me Pakon Emergjente po vazhdojnë ende.
Azemi ka treguar se si kanë ndodhur keqpërdorimet, duke shpjeguar se kush do duhej të aplikonte për Pakon Emergjente e kush jo.
“Kompanitë e të cilave që nga 13 marsi nuk kanë punuar punëtorët dhe nëse pronari e ka përcjellë pagën komplet edhe kur punëtori s’ka punuar, e ka pasur të drejtën e marrjes së 170 eurove sepse është dëmtuar. Por, kompanitë që kanë punuar pa ndërprerje në procesin e punës e as ndalesa në paga kanë marrë para edhe konform kontratave edhe nga Ministria e Financave, do të thotë kanë thithur mjete nga dy burime. Nuk është dashur të aplikojnë për punëtorët të cilët i kanë marrë pagat e pagave. Në rend të parë, pronarët e kompanive kanë bërë shkelje ligjore për përdorim të llogarive bankare të punëtorëve pa i pyetur fare”, ka deklaruar Azemi për Express.
Ai thotë se ka qenë e planifikuar që kërkesat e Pakos Emergjente të përmbushen me 42 milionë euro, ku ishte e paraparë të ishin 50 mijë punëtorë që do të ndihmoheshin, dhe tërë kjo të kapte vlerën diku rreth 30 milionë.
Por, sipas Azemit, kjo vlerë ka shkuar rreth 100 milionë dhe nuk është përmbushur, pasi siç thotë ai, numri i punëtorëve është rritur jashtëligjshëm.
E për këtë, Azemi po fajëson ish-udhëheqësit e Ministrisë së Financave.
“Numri i punëtorëve është rritur jashtëligjshëm, dhe po e them me përgjegjësi të plotë se ish-Ministria e Financave bashkë me shumë pronarë të kompanive e kanë bërë për qëllime të caktuara, por do të shohim se si do të përfundojë i gjithë ky spektakël”, ka deklaruar Azemi.
Nisjen e hetimeve me mjetet financiare të Pakos Emergjente, e kanë konfirmuar për Express edhe nga Policia e Kosovës.
“Lidhur me Informacionin/rastin në fjalë ju informojmë se janë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe lënda është duke u hetuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ne kuadër te Drejtorisë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Ndërkohë, për keqpërdorimet e Pakos Emergjente Fiskale ishte në dijeni edhe Ministria e Financave dhe Transfereve.
MFT’ja kishte pranuar se disa kompani mund të kenë përfituar pa i plotësuar kriteret e kësaj Pakoje.
Disa kompani, veçanërisht në sektorin e naftës, pastrimit dhe nga të ashtuquajturat qendra të thirrjeve (call center) kanë përfituar kundërligjshëm mjetet nga Pakoja Emergjente Fiskale Fiskale, përkatësisht nga masa e tretë për pagën 170 euro që janë paraparë për punëtorët e sektorit privat.
Pakoja Emergjente Fiskale e miratuar në mars nga Qeveria Kurti kap shifrën e 179.6 milionë eurove, kurse qëllimi i saj ishte ndihmesa për qytetarët dhe bizneset e prekur nga COVID-19.