Kryetari i Sindikatës denoncon punësimet e paligjshme në RTK

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, ka thënë se mediumin publik të Kosovës “po vazhdojnë punësime pa kontrollë e pa kritere”. Sipas tij, këto punësime janë kryesisht partiake, nepotike e klienteliste.Më tej ka dhënë disa nga emrat të cilët janë punësuar, e nga ta përfshihet një familjar i ish-presidentit Hashim Thaçit, të Migjen Kelmendit, Milaim Zeka e të tjerë:

1.Jo më larg se në janar të këtij viti, Menaxhmenti ka punësuar me kontratë mbi vepër djalin e vëllaut të ish presidentit Thaci, Leotrim Thacin, në pozitën Menaxher i njësisë për të drejta autoriale.

2.Gjatë muajit shkurt, drejtoreshës së financave i është punësuar motra me kontratë mbi vepër, Donika Hyseni.

3. Gjatë këtyre ditëve, është punësuar në ueb faqen e RTK-së, me kontratë mbi vepër, vajza e Migjen Kelmendit, Sara Kelmendi.

Reklama e sponzorizuar

4. Pagë të rregullt në RTK për tash e disa muaj merr edhe Milaim Zeka.

Milaimi është mirë të pyetet se kur ka qenë për herë të fundit në RTK dhe cilën punë e ka kryer?

Pērveç Milaimit pagë nga RTK merr edhe bashkëshortja e tij.

5. I punësuari i RTK-së i cili gjatë muajit të kaluar u arrestua për kidnapim, përveç pagës si mjeshtër zëri, ka marrë edhe një pagë shtesë në formë të aneksit.

Përveç pagës bazë, pagë shtesë marrin edhe drejtoresha e financave dhe udhëheqësi i administratës dhe burimeve njerëzore.

Bordi i RTK-së në raportimet gjatë vitit të kaluar ka deklaruar se i ka ndërperë të gjitha pagat shtesë.

Hoxha ka thënë se RTK-ja ka mbipopullim të personelit me mbi një mijë të punësuar, ndërkohë që po vazhdohet me “degradim të RTK-së”.

“Kuvendin si themelues të RTK-së e pret shumë punë, por më shumë se Kuvendi punë ka Prokuroria”, ka shkruar ai në Facebook.