Gjatë një takimi me fermerët në Dvoran të Korçës, kryeministri Edi Rama paralajmëroi fermerët se do të vendosë taksim të lartë për ata që nuk e punojnë tokën.
Ai deklaroi që ministrat tashmë kanë nisur punën për të rregulluar me ligj vendosjen e taksës për këdo që nuk e shfrytëzon pronën në fshat.
“Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore edhe pse ka akoma copëza. Për këto ne duhet të marrim disa masa të reja që po i përgatisim për një supertaksim të lënies së tokës djerrë. Nuk mund ta lësh tokën e bukës djerrë, jepe ta punojnë ose punojë vetë, në mënyrë që të shfrytëzojmë çdo metër tokë. Si qenka kjo që bujqësia ka marrë të tatëpjetën?!”, u shpreh Rama.
Pas paralajmërimit, Kryeministri u bëri thirrje fermerëve të bashkohen dhe të krijojnë kooperativa në funksion të investimeve të përbashkëta në mënyrë që të ketë më shumë prodhim.