Gjatë kësaj vjeshte ka pasur mbi 20 për qind më shumë mbjellje të farës së grurit në Kosovë, kështu i ka thënë Gazetës Express, Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës se Mullisëve të Kosovës.
Ai thotë se nuk ka ndikuar veç kriza globale e grurit për të cilën u alarmua muaj më parë, por ka edhe arsyeje të tjera.
Ka përmendur ndryshimin e politikave të subvencionimit dhe çmimin e grurit.
”Kjo do të ndikojë në siguri të brendshme”, thotë Zejnuallahu.
Pos tij, edhe fermeri Mehdi Bresilla ka konfirmuar që ka rritje të kultivimit të grurit.
“Po do të ketë më shumë grurë vitin e ardhshëm, do të plotësohen edhe më shumë nevojat e brendshme”, ka thënë Bresilla për Gazetën Express.
Kjo do të ketë efekte pozitive, Zejnullahu vazhdoi duke thënë se “çmimet nuk do të ndikohen aq shumë nga importet”
Por Kosova nuk është vend eksportues i grurit, tregon Zejnullahu. Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti iu ka ndaluar mullistëve që të eksportojnë.
“Pos Shqipërisë nuk është që kemi eksportuar diku tjetër”, ka deklaruar i pari i shoqatës së Mullisëve.
E personi përgjegjës në Qeveri për bujqësi Faton Peci, në një nga paraqitjet e tij kishte thënë se Kosova mbulon 60 deri 70 për qind të nevojës së tregut me grurë për konsum të brendshëm.
Gruri është siguri kombëtare – Kosova s’i mbulon nevojat e veta
Rreth 400 mijë tonë të grurit i nevojiten Kosovës për të mbuluar nevojat e brendshme të produkteve që rrjedhin prej grurit.
Kosova s’e prodhon këtë sasi, rrjedhimisht ka varësi nga importi, këtë e thonë të dhënat e Doganës së Kosovës.
Vendi që Kosova importon më së shumti grurë është Serbia. Për shkak të krizës globale të grurit, ky shtet në muajin mars e kishte pezulluar eksportin e disa produkteve të grurit – duke shkaktuar panikë edhe në Kosovë se mund të ketë mungesë po të këtij produkti.
Sipas Doganës, gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.
Por Zejnullahu dhe Bresilla u shprehën të bindur që gjatë vitit 2023 do të plotësohen më shumë nevojat e grurit.
Gruri do të ketë çmim tavan
Mielli e gruri do të jenë në mesin e produkteve bazë për të cilat Kuvendi i Kosovës më 8 nëntor ka vendosur që të kenë çmim tavan.
“Tavani anti-kushtetutës”, është cilësuar ligji në fjalë nga opozita që s’ka përfundua vetëm me fjalë, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës e ka çuar në Gjykatës Kushtetuese.
Kjo, pasi – neni 10 dhe 119 i Kushtetutës e definojnë ekonominë si e tregut të lirë – ku kërkesa dhe oferta përcaktohen nga tregu.
Kështu mendon edhe Bashkim Zejnullahu i Shoqatë së mullisëve, i cili thotë se “ka lloje të ndryshme grurësh”, duke aluduar që është e pamundur të ketë një çmim për të gjithë.
Ministria e Tregtisë kishte paralajmëruar themelimin e një mekanizmi që do t’i vendoste çmimet, por ende s’ka asgjë konkrete – Ministria e Tregtisë nuk është transformuar akoma në “çmimore”.
Në këtë drejtim, ekzekutivi është përballur me kritika nga opozita – kanë paralajmëruar se do të ketë falimentime të bizneseve të vogla duke përfshirë edhe shitësit e miellit.
Grurë përtej oqeanit
Kur më 24 shkurt nisi lufta në Ukrainë, kishte alarmime se po vjen një krizë urie – “s’do të ketë bukë”.
Për këtë kishte reaguar edhe ministrja Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e cila kishte shtruar kërkesë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Kosova të importojnë grurë në rast nevoje.
“Duke filluar me një kërkesë në Ambasadën Amerikane që të vendoset në listë kemi marrë përgjigje pozitive që mund të jemi një prej blerësve nëse ka nevojë”, kishte thënë Hajdari gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, më 29 mars.
Kjo nevojë nuk është shfaqur asnjëherë.
Nevoja botërore për grurin
Megjithatë, Rusia dhe Ukraina që janë të përfshirë në luftë furnizojnë rreth 30 për qind të popullsisë botërore me grurë.
Kjo kishte shkaktuar probleme në disa vende afrikane që janë të varura nga gruri ukrainas.
Por me ndërmjetësimin e Organizatës së
Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Turqisë ishte arritur një zgjidhje. Ukrainës i janë lejuar kanalet që ta bënte eksportin e grurit. Marrëveshja është zgjatur – dhe frika nga uria në pjesën më të madhe të botës është larguar. /Express/