Institucionet dështuan të gjejnë zgjidhje adekuate për mbeturinat e rrezikshme

Mungesa e një sistemi për menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme, deponimi i tyre në vende joadekuate dhe pa ndonjë standard të ruajtjes së tyre, po rrezikon jetën e qytetarëve. Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, mbeturinat e rrezikshme gjenden në gjithë rajonet e Kosovës, ndërsa institucionet kanë dështuar që të bëjnë një zgjidhje për to.

Sipas AMMK-së, në Kosovë ende nuk ka një depo ose impiant ekskluziv që do të trajtonte apo të ruante mbeturinat e rrezikshme sipas standardeve të BE-së, shkruan sot Koha Ditore.

Madje Kosova ka humbur fondin prej 12 milionë eurosh të Bashkimit Evropian për krijimin e një deponie ku do të ruheshin mbeturinat e rrezikshme. Shkak për këtë ishte dështimi për të gjetur një lokacion për ndërtimin e saj. Ndërkohë, mosndërtimi i saj vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Kjo, pasi, sipas AMMK-së, forma e mbledhjes dhe e trajtimit të tyre kërkon një kujdes të veçantë duke vlerësuar ndjeshmërinë e tyre në rast të ndonjë aksidenti.

Në raport thuhet se me ndihmën e KFOR-it dhe të TMK-së u bënë shumë operacione për uljen e rrezikut, duke bërë disa aktivitete për mbledhjen e tyre në ambientet e ndryshme të objekteve të mbyllura, paketimin dhe ripaketimin e këtyre materialeve të rrezikshme.

Mbeturinat e rrezikshme, sipas AMMK-së, gjenden në forma dhe në ambalazhime të ndryshme, që sipas informatave që kanë janë tretës organikë, ngjyra, ilaçe të ndryshme, substanca ngjitëse, tretës për metale, tretës kimikë (me karakter acid ose alkaline), por edhe substanca të tjera të panjohura.

Ky volum i mbeturinave me etiketë të njohur dhe të panjohur për llojin, trajtimin dhe asgjësimin e tyre kërkon një profesionalizëm të lartë, si dhe të jetë nën menaxhimin strikt të MMPH-së dhe të institucioneve të tjera monitoruese.

“Përveç këtyre sasive të konsiderueshme të materialeve është e rëndësishme gjithashtu të theksohet se ka materiale të rrezikshme të krijuara në mënyrë të vazhdueshme, duke përfaqësuar kështu një rrezik të madh për njerëzit dhe mjedisin në përgjithësi. Në bazë të vëzhgimeve, inspektimeve dhe të dhënave të fituara, mund të zbulohet se industrialisht zonat e zhvilluara janë ato që kanë përqendrim të madh të materialeve të rrezikshme”, thuhet në raport.