Pagesat e dyshimta në MIE: 143 mijë euro në emër të liberalizimit të vizave

Raporti i Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) mbi kontratat e lobimit hedhë dyshime të forta mbi disa pagesa që u kryen nga zyrtarët e kësaj ministrie pas dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj. Pagesat në vlerë të 143 mijë e 359 euro u kryen në emër të kontratës për liberalizimin e vizave.

Agon Sinanaj

Në vitin 2019-të, Ministria e Integrimit Evropian (MIE) nën udhëheqjen e Dhurata Hoxhës ia shkëputi njëanshëm kontratën për lobim kompanisë amerikane “Madison Global Strategies”. Kompania ka kërcënuar me arbitrazh dhe po kërkon nga shteti i Kosovës një dëmshpërblim prej 513 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin e MIE të hartuar pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të kësaj ministrie, thuhet se shkëputja e kësaj kontrate nga sekretari i ministrisë ishte arsyetuar me dorëheqjen e qeverisë Haradinaj.

Mirëpo, të njejtat standarde nuk ishin aplikuar në të gjitha kontratat.

Në kontratën për Shërbime Informimi të MIE, ku përfshihet edhe kampanja për liberalizimin e vizave, zyrtarët e kësaj ministrie aprovuan pagesa edhe pas dorëheqjes së Qeverisë.

Kjo pikë është cilësuar si mjaftë e dyshimtë në raportin e ‘skenimit’ të kësaj ministrie, që mban nënshkrimin e ministrit aktual, Blerim Reka.

“Pra, derisa në rastin e kontratës lobuese me kompaninë amerikane, është kërkuar ndërpreja e kontratës shkaku i dorëheqjes së qeverisë (me 19.07.2019), në kontratën mediale dhe në kontratën lobuese me kompaninë fraceze, kjo nuk është bërë por, MIE ka vazhduar pagesat kontraktuese edhe pas dorëheqjes së Qeverisë”, thuhet në raport.

Kjo kontratë që kap vlerën e 881 mijë e 389 euro ishte nënshkruar me 10 korrik të vitit 2019 dhe i është besuar një kompanie kosovare, përkatësisht kompanisë “PR Solutions”. Në kontratë, specifikisht, përmendet si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave.

“MIE nuk ka kontratë aktuale dhe shërbimet e tilla janë më se të domosdoshme dhe urgjente, atëherë afatet normale kohore e pamundësojnë që të vijë deri te një zgjidhje e shpejtë e kontraktuesit për realizimin e këtyre shërbimeve. MIE duhet qe të filloj me kampanja vetëdijësuese për proceset e ndryshme integruese , liberalizim vizash etj”, thuhet në dosjen e tenderit.

Pagesat e dyshimta: 143 mijë euro për 3 muaj

Përkundër faktit që me kompaninë amerikane ishte shkëputur kontrata për arsye të dorëheqjes së qeverisë, në kontratën për liberalizim kishin vazhduar pagesat.

Raporti i MIE saktëson tri pagesa që ishin kryer brenda një kohe të shkurtër për kompaninë “PR Solutions” në një total prej 143 mijë e 359 euro.

Sipas raportit, dy pagesa ishin ekzekutuar në muajin tetor, kurse e treta në muajin dhjetor.

Pagesa e parë për muajin Gusht është ekzekutuar në vlerë prej 46,183.00 euro, e cila është kryer me datë 02.10.2019 dhe është pranuar nga komisioni për pranim të shërbimeve me datë 26.09.2019.

Pagesa e dytë ka qenë për muajin Shtator 2019. Kërkesa për zotime të mjeteve ka ardhur me datë 22.10.2019, fatura është e datës 4 tetor 2019, si dhe vlera totale e faturës është 51,376.80 euro.

Ndërkaq, pagesa e tretë ka ardhur në muajin dhjetor 2019 për shërbimet e muajit tetor, dhe vlera totale e faturës ka qenë 45,888.00 euro.

Për këto pagesa, kompania PR-Solutions kreu shërbime si: Blerje mediale – hapësirë në të gjitha ëeb portalet me renome dhe kredibilitet medial; Dizajnim dhe realizim i pop-up banerave digjital, interaktiv për media sociale dhe ëeb portale; Shërbime të video incizimit të aktiviteteve të MIE etj.

Pagesat u kryen pas dorëheqjes së qeverisë

Në raport thuhet se derisa në rastin e kontratës lobuese me kompaninë amerikane, është kërkuar ndërpreja e kontratës shkaku i dorëheqjes së qeverisë, në kontratën mediale dhe në kontratën lobuese me kompaninë fraceze, kjo nuk është bërë. Përkundrazi MIE ka vazhduar pagesat kontraktuese edhe pas dorëheqjes së Qeverisë.

“Në total nga këto tri kontrata, MIE ka paguar më së paku 93,189 euro në muaj (sepse varësisht nga muaji, te kontrata mediale pagesat mujore shin dhe më të larta)”, thuhet në raport.

Nëse kësaj shume i bashkangjitet edhe qiraja mujore për objektin jashtë ndërtesës së Qeverisë së bashku me shpenzimet mujore prej rreth 23,014.00 euro, del se vetëm nga këto 4 kontrata për shëbrime, kjo ministri ka paguar 117,183 euro në muaj.

“Kjo vetëm sa vërteton dyshimin e shprehur në fillim të këtij raporti, se për çka është shpenzuar buxheti i MIE”, konstaton raporti. /Buletini Ekonomik/

Lexo edhe:

http://buletiniekonomik.com/index.php/2020/02/29/kompania-franceze-u-pagua-mijera-euro-per-sherbime-qe-kryhen-me-nje-kerkim-ne-google/
http://buletiniekonomik.com/index.php/2020/02/29/kontrata-e-lobimit-ne-mie-kompania-amerikane-kercenon-kosoven-me-arbitrazh/