Drejtori i Dokufestit përgënjeshtron raportimin e “Majorelle Pr” në MIE

Drejtuesit e dy festivaleve kosovare kanë mohuar se kanë bashkëpunuar me kompaninë franceze “Majorelle Pr”. Kjo e fundit në kuadër të kontratës për lobim me Ministrinë e Integrimit Evropian, kishte raportuar si ‘punë lobuese’ sjelljen në Kosovë të disa gazetarëve francezë për t’i ndjekur festivalet “Dokufest” dhe “Sunny Hill”.

Agon Sinanaj

Kompania franceze “Majorelle Pr” e cila u angazhua për lobim në vitin 2019-të nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE), kishte raportuar në këtë ministri se ka kryer ‘punë lobuese’ për festivalet “DokuFest” dhe “Sunny Hill”. Kompania raportoi se përmes saj erdhen në Kosovë “disa gazetarë” francezë për t’i ndjekur këto festivale.

Reklama e sponzorizuar

Por drejtuesit e “DokuFest” dhe “SunnyHill” e kanë përgënjeshtruar raportin e kompanisë franceze.

Pas drejtorit të “Sunny Hill”, Dukagjin Lipës, tashmë bashkëpunimin me “Majorelle Pr” e kanë mohuar edhe zyrtarë nga festivali “DokuFest”.

Në një përgjigje për “Buletinin Ekonomik”, drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, ka mohuar kategorikisht pretendimet e kompanisë, e cila raportoi në MIE se ka sjellë në vitin 2019 disa gazetarë francezë për ta përcjellë “DokuFest-in”.

“Përmes zyrës tonë për media nuk ka kaluar kjo kompani. Zyrtarisht e them që kjo kompani nuk ka kryer asnjë punë për “DokuFest-in” në vitin 2019-të. Kanë mundur të vijnë gazetarë  të ndryshëm me e përcjell festivalin, por zyrtarisht ne asnjëherë s’kemi qenë në kontakt me kompaninë në fjalë”, ka thënë Nurkollari.

Nurkollari thotë se festivali zbaton rregulla strikte për gazetarët, siç është akreditimi i tyre, mirëpo, siç thotë ai, “nuk ka pasur gazetarë të akredituar nga kjo kompani”.

Pas publikimit të shkrimit në Buletini Ekonomik, bashkëpunimin me “Majorelle Pr” e ka mohuar edhe Dukagjin Lipa, drejtor në festivalin “SunnyHill”. Ai ka thënë se kompania në fjalë jo që nuk ka kryer punë për këtë festival, por ai edhe e ka “denoncuar” të njëjtën në Ambasadën e Kosovës në Francë.

“Përkundrazi, ne e kemi refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci, meqë e njëjta e ka kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj nesh si festival si dhe ndaj pjesëmarresve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë. Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë”, ka thënë Lipa në reagimin e tij publik.

Ambasada e Kosovës në Francë nuk i ka komentuar këto pretendime të Lipes. Në përgjigjen e tyre vetëm thuhet se në disa raste kanë bashkëpunuar me kompaninë franceze.

“Në cilësinë e përfaqësimit më të lartë në Francë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris natyrisht që ka qenë në kontakt me ekipet e Majorelle PR për t’ju përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të lehtësuar punën, në disa raste”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

“Punët lobuese” të Majorelle Pr për MIE “mund të kryheshin me një kërkim në Google”

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në adresë të “Majorelle Pr”, për të ditur se cila është përvoja e kompanisë në fushën e lobimit dhe cilët janë shembujt që e bëjnë atë kredibile në këtë fushë. Përkundër insistimit, askush nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, një dokument i brendshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, tregon sesi kjo kompani u pagua 168 mijë euro për disa shërbime fare të thjeshta. Aktiviteti kryesor i saj ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.

“Nga raportimet e këtij operatori ekonomik për shërbimet e kryera në emër të MIE dhe natyrën e shërbimeve, dalin dyshime mbase të bazuara se a i’a ka vlejtë të paguhen 28,000.00 euro në muaj për shërbime të tilla (si p.sh. përcjellja e shtypit francez etj; se a e kanë përmendur ose jo Kosovën, etj;), gjë e cila do mund të bëhej edhe nga Kosova, me një kërkim të thjeshtë duke shkruar fjalën “Kosova” bashkë me datën përkatëse në google”, thuhet në këtë raport, që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit.

Raporti është përgatitur pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian. Si aktivitet tjetër në raport përmendet “lobimi” i kompanisë për të sjellë në Kosovë gazetarë të huaj për përcjelljen e “Sunny Hill Festival” apo “Dokufest-in”.

“Madje s’kishin arritur të gjejnë interesim të duhur të mediave franceze; ndonëse për këto ngjarje në Kosovë kishin ardhur media nga e tërë bota, sidomos për t’a përcjellur artisten Dua Lipa në “Sunny Hill Festival”, e të ngjashme. Tërë ky “aktivitet” i kompanisë lobuese franceze duket me tepër si një tallje dhe nënҫmim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e MIE.

“Majorelle Pr”, kompani e specializuar për media dhe rrjete sociale

Nga të gjitha publikimet e pakta që ka në internet, “Majorelle Pr” nuk duket të ketë përvojë të shquar në fushën e lobimit. Më shumë është e specializuar në media dhe rrjete sociale.

Në ueb-faqen e kompanisë, thuhet se ofrojnë “shërbime në fushën e komunikimit publik, ku hyjnë mediat dhe rrjetet sociale”.

“Njerëzit dhe bizneset duhet të marrin vendime në raport me opinionin publik, siç janë ato që kanë të bëjnë me imazhin dhe reputacionin e tyre, pra mbi kontrollin medial rreth veprimtarisë së tyre. Ne i vëmë në dijeni klientat tanë për çfarëdo përpjekje që do ta vinte në rrezik imazhin e tyre apo të biznesit të tyre”, thuhet në përshkrimin e qëllimit të kompanisë.

Ekspertiza e kompanisë është e përqendruar sidomos në atë sesi paraqitet në media një çështje e caktuar që lidhet me klientët e “Majorelle Pr”.

“Analistat e rrjeteve sociale të “Majorelle Pr” hulumtojnë shpërndarjen dhe impaktin që e ka në rrjete sociale një çështje e caktuar, në mënyrë që të ndihmojmë klientët në marrjen e vendimeve të duhura”.

Kompania thotë se ka të punësuar 6 punëtorë në krye me Anne Hommel  dhe Sacha Mandel, të dy ekspertë të marrëdhënieve me publikun.

Për themeluesen Anne Hommel, në ueb-faqe është vënë kjo biografi e shkurtër: 

“Anne Hommel e themeloi “Majorelle Pr” pas 25 vitesh përvojë në marrëdhënie me publikun. Ajo e filloi karrierën duke punuar për politikanë dhe figura tjera publike. Në veçanti, ajo ka këshilluar Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar në organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, kurse aktualisht këshillon drejtues korporatash dhe figura publike më rëndësi”.

Ndërsa për Sacha Mandel, nënshkrimi i të cili figuron në kontratën me MIE, thuhet se po ashtu ka përvojë të gjatë në marrëdhënie me publikun.

“Sacha Mandel ka punuar në strategjinë e komunikimit për Ministrinë e Mbrotjes në Francë nga viti 2012 deri në vitin 2015”. /Buletini Ekonomik/