AdvanTech, ‘Z Mobile’-i i dytë i Telekomit

Një kontratë tjetër e madhe e llojit të ‘Z Mobile’-it do të rëndojë mbi Telekomin e Kosovës në vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për kontratën për shërbimet IPTV me kompaninë ‘AdvanTech’ nga Shqipëria. Për shërbimet e kryera, kompania në fjalë do të marrë 60 për qind të të hyrave, kurse 40 për qind Telekomi.

Shkruan: Agon Sinanaj

“E ngjashme me Z Mobile”. Kështu e përshkruan një dokument i brendshëm që i është prezentuar Bordit të Telekomit të Kosovës, një kontratë të madhe të arritur me kompaninë nga Shqipëria, AdvanTech.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019, nga kryeshefi i atëhershëm Bedri Istrefi dhe synon që t’ia japë nën menaxhim kompanisë private të gjitha operacionet e shërbimeve fikse të Telekomit, ku hyjnë interneti, televizioni dhe telefonia fikse.

Për shërbimet e kryera, kompania do të marrë 60 për qind të të hyrave, kurse 40 për qind Telekomi. Kështu, nëse një pako internet plus IPTV do të kushtojë 22 euro, kompania do të marrë 13 euro, kurse Telekomi – 9 euro.

Buletini Ekonomik ka siguruar kontratën me dokumentacionin  përcjellës, e cila tashmë me një vendim të Bordit të përkohshëm të Telekomit është duke u audituar, pas dyshimeve të ngritura.

Modeli i kësaj kontrate është i ngjashëm me atë të ‘Z Mobile’-it sipas principit “share-revenue”. Ky model nënkupton ndarjen e të hyrave mes partnerëve, që në këtë rast 60 për qind të të hyrave nga shërbimet IPTV do t’i marrë kompania, ani pse infrastruktura është e Telekomit.

“Kontrata me AdavnTech është e ngjashme me kontratën që Telekomi e kishte me Z Mobile dhe me kompaninë PayKos”, thuhet në dokumentin e përgatitur nga ekspertët që i është prezantuar Bordit aktual.

Në Telekomin e Kosovës nuk e kanë komentuar kontratën për shkak të ndryshimeve në menaxhment, ku në vend të Bedri Istrefit të shkarkuar tashmë është emëruar Burbuqe Hana.

“Kjo punë është e bordit mbikëqyrës. Ndërmarrja do të jetë krejtësisht transparente. Jemi në fillim të punëve si menaxhment i ri, do të shikohen të gjitha gjetjet dhe do t’i publikojmë për publikun”, ka thënë Fadil Lepaja nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Telekom.

I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ish-kryeshefi Bedri Istrefi, nënshkrimi i të cilit figuron në kontratë, nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me pyetjet rreth arsyeshmërisë së kësaj kontrate.

Si u arsyetua kontrata nga Telekomi?

Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Telekomi i Kosovës shpalli kërkesë për partneritet, në të cilën do të merrnin pjesë vetëm katër kompani. Fituese u shpall një firmë nga Tirana, por me degë edhe në Kosovë, e quajtur AdvanTech.

Buletini Ekonomik ka siguruar analizën e zyrtarëve të Telekomit me rastin e vlerësimit të aplikacioneve.

“AdvanTech është operatori i cili ka përmbushur kushtet e shprehjes se interesit publik dhe i njëjti gjatë prezantimit ka ofruar një zgjidhje START to END teknike-operative, e që për momentin TK e ka të vështirë ose edhe të pamundshme me mjetet vetanake ta realizojë një shërbim të kompletuar”, thuhet në analizën me titullin “Raport-Analiza Biznesore” e hartuar më 31 mars 2020.

Në këtë raport, kontrata me AdvanTech arsyetohet me atë se shërbimet IPTV të Telekomit nuk marrin pjesë as me 10 për qind në tregun e telekomunikimeve.

Ndërkaq, në kontratë thuhet se Telekomi i Kosovës ofron në shërbim të partnerit komplet infrastrukturën e vet duke filluar nga backbone (lidhjet kryesore nëpër qytetet e Kosovës), rrjetin e qasjes dhe pajisjet aktive nëpër dhomat e serverëve kudo në Kosovë si dhe në qendër.

“Partneri ka të drejtë që të lidhë klientët të cilët janë objekt i kontratës mes TK dhe Partnerit, në rrjetin e qasjes se Telekomit të Kosovës, duke përdorur asetet e TK në terren, si kabllot, kutiat shpërndarëse etj.”

Për më tepër, Telekomi ofron në dispozicion te partneri të gjitha resurset teknike të Dhomave të Serverave: furnizim me energji pa ndërprerje, klimatizim, hapësirë, qasje në server, router, switch etj”

“Ideja e gjithmbarshme është të ofrohet shërbim kualitativ televiziv përmes teknologjisë më të re dhe më atraktive në treg përmes rrjetit të TK”, thuhet në kontratë.

Mirëpo në raportin e ekspertit që i është dorëzuar Bordit, thuhet se “ndarja e të hyrave që tajkalon 15% për kompaninë dhe nuk sjell 85% për Telekomin nuk është një marrëveshje e mirë”.

“Në rast të një kalkulimi të tillë nuk e di sa është e kuptueshme që të angazhohet një partner që të ofron OTT/IPTV në bazë të parimit share revenue dhe me atë rast: 1) Ka ekskluzivitet; 2) Ka të drejta pronësore në SË; 3) Merrë përqindje nga shërbimet bazë që i ofron Telekomi, pra nga Bundle (tufa) e shërbimeve – internet voice etj”, thuhet në raportin e ekspertit.

Kush është AdvanTech?

Në kontratë përveç Bedri Istrefit si Kryeshef i Telekomit, figuron edhe firma e Oltjon Bushit, i cili është pronar i AdvanTech. E njëjta kompani në nëntor të vitit 2018 është regjistruar si biznes edhe në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri është regjistruar si biznes në vitin 2017. Për degën në Kosovë si aksionar, krahas Oltjon Bushit figuron edhe një emër tjetër, Bashkim Hajra.

Kur ishte regjistruar në Kosovë, kompania në përshkrimin e veprimtarisë së saj si aktivitet primar kishte potencuar “transportin rrugor të mallrave”, kurse si aktivitet sekondar  “tregtinë me shumicë të kompjuterëve, të pajisjeve periferike të kompjuterëve dhe softuerëve”.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar profilin e kompanisë, degën e saj në Kosovë, por nuk ka gjetur të dhëna për punët e kryera si dhe përvojën e saj.

Pronari Oltjon Bushi ka thënë se AdvanTech është një “kompani me përvojë të madhe”, mirëpo kur është pyetur se si është e mundur kjo meqë kompania në Shqipëri është regjistruar si biznes vetëm në vitin 2017, Bushi ka thënë se përvojën e kanë trashëguar nga një kompani tjetër, por pa ia përmendur emrin.

E në Kosovë ka thënë se kanë kryer punë për një televizion.

Për ngjashmëritë rreth kontratës me ‘Z Mobile’-in, Bushi ka thënë se është krejtësisht e kundërta.

“Sipas kontratës, kompania do të investonte në teknologji dhe e tëra do t;i mbetej ndërmarrjes”, ka thënë ai, derisa sa i përket ndarjes së të hyrave, ka thënë se është normale që kompania t’i ketë 60 për qind të të hyrave, për shkak të kostos së investimeve.

Ai ka shtuar se ‘ValaTV’ është një aplikacion që tashmë e kanë zhvilluar për Telekomin në kuadër të kontratës, porse puna njëherë është ndalur për shkak të ndryshimeve të reja në Telekom.

Ndërkohë, Buletini Ekonomik mëson se Bordi i ri me të ardhur në detyrë ka kërkuar auditim për këtë kontratë. /Buletini Ekonomik/