Oda Ekonomike Amerikane: Ndërmjetësimi si mundësi e zgjidhjes së kontesteve biznesore në kohë pandemie

Pandemia COVID-19 përveç ndikimit që ka pasur mbi shëndetin publik dhe veprimtaritë ekonomike, ka goditur rëndë edhe veprimtaritë gjyqësore rrjedhimisht duke shkaktuar grumbullimin e çështjeve dhe kontesteve të cilat nuk mund të zgjidhen pa praninë e palëve në gjykatë.

Përdorimi i ndërmjetësimit si metodë efektive e zgjidhjes së kontesteve për të lehtësuar veprimtarinë e gjykatave sidomos gjatë kësaj kohe ishte tema e diskutimit në forumin virtual të radhës, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Makifete Saliuka, zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës theksoi se si rezultat i pandemisë është punuar me kapacitete të reduktuara, dhe gjykatat kanë trajtuar vetëm çështjet më urgjente.

Megjithatë, sipas saj Komisioni për Administrimin e Gjykatave në planin për menaxhim të krizave ka paraparë edhe mundësinë për mbajtjen e seancave gjyqësore online ku edhe janë realizuar disa seanca të ndërmjetësimit të siguruara nga programi i USAID për Drejtësi Komerciale.

Sa i përket ndërmjetësimit, Saliuka theksoi se zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, sado i mirëpritur, shpesh herë ka sjellë edhe mosmarrëveshje mes palëve, gjë që ka ndikuar në nevojën për një metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve.

Ajo shtoi se ndërmjetësimi si proces duhet të respektohet dhe përdoret nga palët dhe gjykatat si dispozitë imperative për zgjidhjen e çështjeve familjare apo ekonomike, dhe se janë vënë themele të qëndrueshme të ndërmjetësimit në Kosovë me anë të të cilit nuk do të shkelet e drejta bazë e çdo njeriu për një gjykim të drejtë.

Faton Morina, kryetar i Odës së Ndërmjetësuesve tha se ndërmjetësimi në shoqërinë tonë ka filluar në vitin 2008 ndërsa funksionalizimi i plotë i tij si proces është bërë në vitin 2012, pas licencimit të ndërmjetësuesve të parë nga Ministria e Drejtësisë.

Morina theksoi se si rrjedhojë e ndalimit të përkohshëm të veprimtarive nga pandemia COVID-19, institucioni që ai drejton nuk ka pasur punë të ngarkuar por me anë të metodave alternative ka vazhduar veprimtarinë, ku është përfshirë edhe mbajtja e seancave të ndërmjetësimit online e mbështetur nga USAID. Morina shtoi se seancat e mbajtura online nuk kanë qenë shumë të ndryshme nga rastet e trajtuara në gjykatë dhe se avantazhi i ndërmjetësimit qëndron në faktin se palët mund ta përdorin si metodë më të lehtë për zgjidhjen e kontesteve, dhe njëkohësisht si proces më të shpejtë.

Ai potencoi se deri më tani nuk ka ndonjë rast të kontesteve të trajtuara përmes ndërmjetësimit që është kthyer për ri-trajtim, ndërsa theksoi se shpreson që kjo metodë të fillojë të përdoret më shumë nga palët për çfarëdo lloj rasti apo kontesti.