Kryeziu rendit katër problemet e Qeverisë Hoti

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka renditur katër probleme me të cilat do të përballet Qeveria Hoti.

Si pikë të parë, ai ka përmendur problemet e brendshme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se brenda partisë ka përplasje mes figurave më të mëdha të cilët janë meritorë për votat e marra.

“Ne nuk mund ta shmangim faktin që ka përplasje brenda këtij subjekti, nuk është përplasje e vogël por mes disa personave që kanë meritat për votat e marra. Janë deklaratat e Osmanit, pastaj Hazirit për mosbesimin në qeveri, është edhe tërheqja e Lumir Abdxhikut” ka thënë ai.

Ai tutje ka përmendur edhe konsensusin politik për marrëveshjet në tersi.

“Tjetra është konsensusi politik për marrëveshje. Ne e dimë që në pesë vitet e fundit duke filluar nga marrëveshja me Malin e Zi e deri tek tjerat nuk ka pasur konsensus politik. Është shumë vështirë të arrihet vetëm nëse ka rol të rëndësishëm edhe PDK e për të cilën nuk dimë se cili do të jetë angazhimi i saj politik në opozitë”, ka thënë ai.

Kryeziu tutje si probleme për funksionimin e Qeverisë Hoti i ka përmendur edhe marrëveshjen me Serbinë dhe pozitën e kryetares së Kuvendit, të cilën e mban Vjosa Osmani.

“Unë nuk kisha besu që do të ketë marrëveshje me Serbinë. Unë mendoj që faktori kohë nuk është në favor të arritjes së marrëveshjes. Një marrëveshje që nuk është arritur për 20 vjet atëherë nuk do të arrihet për kaq pak kohë. Unë mendoj që do të jetë sfidë për qeverinë unifikimi rreth marrëveshjes”, ka thënë ai. “Pika e katërt është kryetarja e Kuvendit. Nëse ajo zgjedh me e vështirësu punën e kësaj qeverie, atëherë mund ta bëjë. Ne ende nuk e kemi të qartë një strategji të Vetëvendosjes se si do t’i atakojë vendimet e kësaj Qeverie. Të shohim se cila do të jetë veprimtaria dhe opozitarizmi i Lëvizjes Vetëvendosje”.

Hajrullahu: Qeverisë Hoti do t’i duhet të operojë në “teh të thikës”

Arben Hajrullahu ka thënë në DESKU të KTV-së se nëse shikohet numri i votave që në Kuvend i mori Qeveria Hoti atëherë bëhet e qartë se kësaj qeverie do t’i duhet të funksionojë në “teh të thikës”.

“Nëse shihen numrat, që lënë pak hapësirë për interpretim, e shohim se kjo qeveri do të duhet të operojë në teh të thikës. Kjo e rrit mundësinë e korrupsionit politik, se çdo deputet i vetëm, apo dy deputetë mund ta bllokojnë aprovimin e ligjit dhe të bllokojnë punën e Qeverisë”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka shtuar se Hoti duhet ta ketë një çasje integruese dhe gjithpërfshirëse.

I pyetur nëse një gjë e tillë është e mundshme pas kësaj krize, Hajrullahu ka thënë se
“një gjë e tillë do të kishte qenë e mundur në rrethana të zakonshme, por rrethanat tani nuk janë normale, pasi që tani shumica është në opozitë”.

Ndërkohë rreth dialogut me Serbinë, Hajrullahu nuk sheh nëse mund të vazhdohet ai, duke trajtuar tema, që do të duhej adresoheshin në këtë dialog, me këtë shumicë aq të vogël. Ka shtuar se në këtë aspekt, nuk duhet ngutur.

“Do të ishte mirë që të arrihej brenda natës paqe me Serbinë, por jo me çdo kusht dhe me çdo çmim”, ka thënë ai.

Sa i përket riparimit të raporteve me aleatët, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e mosmarrëveshjeve Evropë-Amerikë.

“Kemi nevojë për të gjithë dhe duhet t’i sigurojmë ata që na kanë ndihmuar se jemi në të njëjtën vijë me ta”, ka thënë ai.

Kryeziu: Në Kosovë interesat individuale janë shndërruar në politika institucionale

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se presidenti duhet të ketë rol unifikues në vend.

Ai ka shtuar se në Kosovë interesat individuale janë duke u shndërruar në politika institucionale.

Kryeziu ka deklaruar se nuk duhet lejuar që konfliktet e politikanëve të shndërrohen në konflikte institucionale.

Ai tutje ka përmendur edhe konfliktet që kanë pasur ish-kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi që prej fillimit të formimit të ish-qeverisë.

“Problemi është tek përplasja e institucioneve. Institucioni kryeministrit dhe i presidentit që nga dita e parë kanë pasur përplasje, madje edhe parlamenti. Interesat individuale janë duke u shndërruar në politika institucionale. Ne duhet t’i atakojmë ato. Ne nuk guxojmë që konfliktet e tyre të i lejojmë të shndërrohen në konflikte institucionale”, tha ai.

Kryeziu tutje ka shtuar se duhet të bëhen reforma zgjedhore në Kosovë.

Hajrullahu: Presidenti ka dështuar që ta përmbushë detyrimin e vet kushtetues

Profesori i Shkencave Politike, Arben Hajrullahu ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi më shumë se një herë ka dështuar të përmbush detyrimin kushtetues për të paraqitur unitetin e vendit. Ai është pyetur në emisionin “Desku” në KTV për interesin e presidentit për të rrëzuar Qeverinë Kurti dhe për ngritjen e Qeverisë Hoti.

“Besoj që përtej këtij rasti, duhet të shihet fotografia e madhe. Për të parë fotografinë e madhe e kemi Kushtetutën, tekstin e Kushtetutës, ku thuhet se njëra nga detyrat kryesore të presidentit është paraqitja e unitetit të popullit, gjithë qytetarëve të vendit. Më shumë se një herë presidenti aktual ka dështu që ta përmbush detyrimin e vet kushtetues për të paraqitur unitetin”, ka thënë Hajrullahu.

Sipas tij ndërhyrjet e presidentit tregojnë shumë.

“Sa i takon botëkuptimit të presidentit aktual për normën juridike dhe besimin në shtetin e së drejtës, para disa vitesh është raportuar nga mediat se ai ka përdorur praktika mesjetare, për shembull të shkuarjes dhe bërjes be nëpër oda, se ta kam bërë ose nuk ta kam bërë. Kjo nuk përket me idenë e shtetit ligjor të shekullit 21. Është jashtë kohës, sidomos nga dikush që ka post të lartë dhe do të duhej ta paraqiste unitetin e qytetarëve. Nuk është për t’u befasuar që deputeti raporton se i kanë shkuar në një të mëngjesit, kur e shikon fotografinë e madhe”.

Hajrullahu: Asnjëra parti s’duhet ta ketë mundësinë ta bllokojë sistemin

Arben Hajrullahu, profesor universitar, ka thënë në DESKU të KTV-së ka thënë se pa marrë parasysh për cilën parti është fjala, asnjëra nuk duhet ta ketë mundësinë që ta bllokojë sistemin, duke keqpërdorur boshllëqet ligjore. Ka përmendur çështjen nëse Gjykata Kushtetuese mund të precizojë norma.

“Çështja kryesore që ngritet këtu është nëse Gjykata Kushtetuese e ka kompetencën për të precizuar normën juridike, apo jo. E rreth kësaj, ka dy shkolla të ndryshme. Është e qartë që çdo Gjykatë Kushtetuese në çdo vend duhet ta ketë prioritet ta garantojë funksionimin e sistemit dhe të mos keqpërdoren normat”, ka thënë Hajrullahu.

Ai në vazhdim ta ngritur dyshime për manipulime.

“Mendoni sikur Kushtetuesja t’u ishte përgjigjur deputetëve: Në këtë çështje, Kushtetuta është e heshtur, ne vetëm jemi gardianë të Kushtetutës se si është shkruar. Ka këtu indikatorë që të lënë të dyshosh se diçka nuk është në rregull; se rregullat e lojës janë manipuluar”, ka deklaruar ai.

Hajrullahu e ka përsëritur se është kundër që dikujt t’i mundësohet bllokimi i sistemit. I është referuar 2014-s, kur kishte ndodhur një gjë e tillë.

“… kur dokumentet përgatitore nuk u gjetën, e tani u gjetën brenda natës. Këtu duhet të merret në konsideratë se përse ka ndodhur kështu. Përse të mos kërkohet nga ligjvënësit që të precizohej norma?”, ka pyetur ai.

Hajrullahu ka kërkuar angazhim më të madh të partive politike në këtë drejtim.

“Partitë politike, si bartëse të vullnetit të qytetarëve, do të duhej të bëjnë hap përtej hijes së tyre. Juristë të së drejtës kushtetuese nëpër vende të ndryshme e kanë ngritur çështjen se në pikat e caktuara, ky tekst i Kushtetutës nuk është i qartë dhe është i dykuptimtë. E kjo duhet të rregullohet, në mënyrë që asnjëri të mos ketë mundësi ta bllokojë sistemin”, ka thënë ai.

Kryeziu mendon që Kurti ka dashur t’u ikte përgjegjësive që e prisnin

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se ka indikacione që ish-kryeministri Albin Kurti ka dashur “t’i ikën përgjegjësisë që e presin Kosovën” dhe me shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm ka çuar në prishje të koalicionit me LDK-në.

Sipas Kryeziut, shkarkimi i Veliut, nënkryetar i LDK-së, ishte bërë jashtë çdo praktike që mund të vendoset nga dy parti në një koalicion apo partneritet.

“Konsideroj se Vetëvendosje i ka bë disa gabime në hapa e të cilët nuk e di a ishin të qëllimshëm nga ana e Kurtit, apo ide në ato që ka synuar. Sa i përket shkarkimit të Veliut… Ai s’ishte njeri i panjohur, dha dorëheqje nga posti i kryetarit të komunës e ishte nënkryetar i subjektit. Kurti nuk respektoi asnjë rregull të partneritetit se si bëhen koalicionet e procedurat për shkarkim. Mospërfillja që bëri me rastin e zotit Veliu, nxiti përplasjen më të ashpër që normalisht nuk do të kishte zgjidhje tjetër. Po flasim për parti që e kishte tërhequr nga komuna, nënkryetarin e vet dhe mënyra e shkarkimit me mesazh pasi ka vendosur, është jashtë praktikave që mund të vendosin dy parti një partneritet. Kjo ishte thyerje publike, shpeshherë mendoj ndoshta është strategji e Kurtit, mund ta diskutojmë se a ishte që të tërhiqet nga përgjegjësitë që e presin Kosovën. Mund ta shohim në disa variante, nëse kemi pas afat kohor të proklamuar se kur mund të zgjidhet çështja e Kosovës dhe blerja e kohës ka mundur të lëvizë në ambientin politik strategjik se çka mund të prodhohet në zgjedhjet në SHBA. Blerja e kohës mund të jetë një strategji për ikje nga përgjegjësia aktuale për çështjen për dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë e për t’i dhënë vetes kohë që në situatë më të qetë politike të vijë. Ka indikacione edhe pse mund të jetë spekulative. S’mund ta kuptoj Kurtin që pas 10 vjetësh opozitë vjen në pushtet dhe bën veprim të tillë që s’mund ta gjesh askund në praktikat e ndërtimit të partneritetit”, ka thënë Kryeziu në Deskun e KOHËS.

Ai ka komentuar edhe arsyen që ka thënë të ketë pasur Kurti për të shkarkuar Veliun. Sipas Kurtit, Veliu ishte shkarkuar për shkak se kishte dalë kundër qëndrimit të Qeverisë që të mos shpallet gjendje e jashtëzakonshme e duke përkrahur kështu idenë e presidentit Thaçi.

“Veliu as s’do të mund ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme e s’mund të shkojmë drejt praktikës që një ministër të mos shprehë qëndrimin e tij, qoftë edhe kundër qeverisë. S’ka pas veprim, vetëm deklarim”, ka thënë Kryeziu.

Kurti u rrëzua nga posti i kryeministrit më 25 mars, pasi LDK-ja nisi mocionin e mosbesimit. Të mërkurën e 3 qershorit, LDK-ja mori qeverinë duke e bërë kryeministër Avdullah Hotin, pasi Gjykata Kushtetuese shpalli kushtetues dekretin e presidentit me të cilin i hapi rrugë partisë së dytë në zgjedhjet e fundit për të qeverisur.

Kryeziu e Hajrullahu me pikëpamje të ndryshme rreth dëmtimit të demokracisë në Kosovë

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu dhe profesori i Shkencave Politike, Arben Hajrullahu kanë paraqitur pikëpamje të ndryshme lidhur me dëmtimin e demokracisë nga ngjarjet e fundit politike në vend.

Kryeziu ka vlerësuar se demokracia nuk është dëmtuar. Sipas tij, ndërrimi i pushtetit është bërë me votë të qytetarëve për vite me radhë, dhe kjo është pjekuri.

Duke folur për koalicionin VV-LDK, ai ka thënë se pika kryesore e përplasjes mes dy subjekteve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.

“Ky tranzicion pa përplasje të madhe shoqërore është pjekuri e shoqërisë kosovare. Sa i përket çështjes se subjekti i dytë ta marrë mandatarin nëse subjekti i parë nuk mundet atëherë është vlerë për jetën parlamentare tonën dhe qëndrueshmërinë institucionale”, ka thënë ai.

Ndërkaq për dëmtimin e demokracisë, Hajrullahu mendon ndryshe.

Ai ka thënë se demokracia në Kosovë është bërë më pak stabile, duke shtuar se janë ndryshuar rregullat e lojës gjatë procesit.

Duke komentuar aktgjykimin e Kushtetueses, ai thotë se i njëjti do ta rrit korrupsionin politik.

“Unë besoj që do të jetë shumë e vështirë që votuesit e LDK-së do të vazhdojnë të besojnë në sloganin e tyre ‘beso’. Unë besoj që demokracia në Kosovë është bërë më pak stabile, sidomos kur kihet parasysh ndërrimin e rregullave të lojës gjatë procesit. E shoh që do të ketë qeveri edhe më jostabile në të ardhmen, kur e shohim edhe aktgjykimin e Kushtetueses. Kjo formë si është aktgjyku e rrit edhe korrupsionin politik”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se thyerja e besimit të qytetarëve është e dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë.

“Një thyerje e tillë e besimit unë mendoj që është e dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë. Problemi është tek ndërrimi i rregullave të lojës gjatë procesit, kjo është e dëmshme. Është e qartë që në çdo vend tentohet të evitohen zgjedhjet, por në këtë formë se çka ka ndodhur, këtu shihet se ka interpretime të gjera elastike të normave në fuqi, pa ndërruar ato”, ka thënë ai.