Ministrja Bajrami e vlerëson në interes të vendit rritjen e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka pritur sot drejtorin menaxhues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, dhe kryetarin e Bordit drejtues të FKGK-së Rinor Gjonbalaj, me të cilët ka diskutuar për planet e Qeverisë Hoti për rimëkëmbjen ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal.

Me këtë rast, ministrja Bajrami i njoftoi përfaqësuesit e FKGK-së për angazhimin e Ministrisë së Financave në procesin e hartimit të rishikimit të Buxhetit të vitit 2020, ku në kuadër të këtij rishikimi do të inkorporohen masat e Qeverisë Hoti për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas pandemisë Covid19. Ajo shprehu gatishmërinë e saj dhe institucionit që drejton për të bashkëpunuar me partnerët e Ministrisë së Financave, në zhvillimin e sektorit privat, me theks të veçantë prodhimtarisë dhe sektorëve që gjenerojnë rritje ekonomike.

Ministrja Bajrami gjithashtu theksoi se është në interes të vendit dhe të sektorit privat që ne të rrisim Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive dhe për këtë do të keni përkrahjen time si Ministre.

Në anën tjetër, drejtuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) , falënderuan Ministren Bajrami për bashkëpunimin me FKGK-në, me qëllim të përkrahjes së sektorit privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme, dhe duke mundësuar kështu krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, si dhe përmirësimin e bilancit tregtar.