SHBA-ja i kërkon Kosovës zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronat përreth Manastirit të Deçanit

Refuzimi që të implementohet një vendim trevjeçar i Gjykatës Kushtetuese që i njeh Kishës Ortodokse Serbe pronësinë e disa parcelave rreth Manastirit të Deçanit është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në raportin për Liritë Fetare për vitin 2019, të publikuar sot.

Sipas këtij raporti, zyrtarë të Komunës së Deçanit kanë refuzuar të implementojnë vendimin e 2016-s për t’i njohur pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe për 25 hektarët rreth Manastirit të Deçanit. Aty theksohet se autoritetet lokale e kanë cilësuar vendimin si të papranueshëm, përderisa institucionet qendrore s’kanë ndërmarrë asgjë.

Forcat e KFOR-it vazhdojnë të jenë të pranishme në Manastirin e Deçanit, thuhet në raport.

Në raportin e përvitshëm thuhet po ashtu se ambasadori amerikan dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë kërkuar nga institucionet qendrore dhe lokale, përfshirë edhe kryeministrin, që të implementojnë vendimin e Kushtetueses.

“Zyrtarët e ambasadës kanë avokuar në të gjitha nivelet e qeverisjes për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 2016, që urdhëronte kthimin e tokës në Manastirin e Deçanit, duke kërkuar nga qeveria dhe gjyqësori që t’i mbajnë përgjegjës zyrtarët lokalë”, thuhet në raport.

Në raportin për 2019-n, SHBA-ja ka përmendur edhe 61 incidentet me motive fetare, shumica që kishin të bënin me vjedhje apo dëmtime të pronave, në krahasim me 86 rastet e së njëjtës natyrë që ishin më 2018.