Si të udhëtoni të sigurt në Europë? Komisioni Europian paraqet platformën

Komisioni Europian lançoi sot “Re-open EU”, një platformë në internet që përmban informacione thelbësore për një rinisje të sigurt të turizmit në Europë në periudhën pas Covid.

Europianët tani do të jenë në gjendje të planifikojnë pushimet e tyre pasi platforma siguron informacione në kohë reale për kufijtë, mjetet e transportit, kufizimet e udhëtimit, masat e shëndetit publik dhe të sigurisë, si distanca fizike ose përdorimi i maskave.

Platforma “Re-open EU”, e zhvilluar nga Qendra e Përbashkët e Kërkimit  është pjesë e paketës së Komisionit Europian për Turizëm dhe Transport të publikuar më 13 maj për të ndihmuar turizmin europian të rifillojë me lehtësi duke hequr gradualisht kufizimet e udhëtimit dhe duke lejuar bizneset të rihapen, në respektim të plotë të masave paraprake shëndetësore.

Reklama e sponzorizuar

Platforma do të veprojë si një pikë referimi për këdo që udhëton në BE pasi aty do të përqendrohet informacioni i mbledhur si nga Komisioni Europian, po ashtu edhe nga vendet anëtare.

Ndërsa lëvizja e lirë dhe udhëtimi ndërkufitar janë thelbësore për turizmin, një hartë interaktive që ofron përditësim mbi masat kombëtare dhe këshilla për vizitorët janë në dispozicion për secilin shtet anëtar të BE-së. Udhëtarët  janë gjithashtu në gjendje të marrin informacion specifik për vendin drejt të cilit do të udhëtojnë.