Ambasadori zviceran: Prekja e kufijve do të sillte tragjedi të reja

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet ka thënë se procesi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, është një proces afatgjatë dhe që kërkon kohë.

Lebet në tryezën e organizuar nga KDI me temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, tha se e mbështesin procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Qëllimi kryesor i dialogut është normalizimi i raporteve me Serbinë për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të forcuar paqen në rajon dhe për të zhbllokuar rrugën e Kosovës drejt njohjes së plotë si anëtare e Komunitetit Ndërkombëtare dhe aspiratave të saj euroatlantike. Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është çështje evropiane, prandaj na mbështesim dialogun në lehtësimin e BE-së”, tha Lebet.

Ambasadori zviceran theksoi se është e rëndësishme që të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia të kenë vullnet për të normalizuar marrëdhëniet. Lebet i dëshiroj fat kryeministrit Avdullah Hoti duke i thënë se “ ju nevojitet, pasi po udhëhiqni Kosovën në këtë kohë pandemie si dhe në udhëheqjen e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe në realizimin e përgjegjësive tuaja”.

“Shpresojmë që Kosova e Serbia janë të gatshëm të rifillojnë dialogun dhe kryeministër Hoti ju inkurajoj të bashkëpunoni ngushtë me përfaqësuesin e BE-së z.Lajçak”, u shpreh Lebet.

Lebet tha se ky proces e ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së por edhe shteteve që s’janë anëtare, siç është Zvicra.

Ambasadori theksoi se vetëm zgjidhja e cila do të respektojë vlerat evropiane mund të qoj në fund drejt integrimit evropianë për të dy vendet.

Ai shtoi se ndryshimi i kufijve në baza etnike nuk qon në këtë drejtim, dhe se një gjë e tillë do të sillte tragjedi të reja.

“Ndryshimi i kufijve nuk ka funksionuar kurrë, dhe ne e dimë që në Ballkan por edhe në Evropë kur tentojmë të zgjidhim një problem duke lëvizur popullatën nuk funksion sepse konflikti fillon përsëri. Nuk kemi ndonjë shembull të historisë moderne që ndryshimi i kufijve ka mundësuar normalizimin dhe qëndrueshmërinë mes dy vendeve, një qasje e tillë do të sillte tragjedi tjera”, theksoi Lebet.

Ambasadori më tej shtoi se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse është kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nënshkrimi i një marrëveshje nuk është çështja kryesore.

“Vetëm zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve do të bëjë ndryshimin. Këshilla ime është që të mos nguteni por të investoni në besim. Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent dhe të ketë mbështetjen e akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Kuvendi i Kosovës luan rol kryesor në mbikëqyrjen e procesit të dialogut dhe pres që të punoni me Kuvendin”, tha Lebet.