2.500 euro gjobë personit që kërcënoi Thaçin

K.P. është dënuar me 2.500 euro gjobë pasi kishte kërcënuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në rrjetin social Facebook.

I njëjti fillimisht ishte dënuar me katër muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg u zëvendësua në atë me gjobë në shumën prej 2.500 euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 12 maj 2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Gjykata Themelore kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Peci.

Reklama e sponzorizuar

Në dënimin e shqiptuar, sipas këtij aktgjykimi, do të llogaritet edhe koha që i akuzuari e ka kaluar në paraburgim, nga 26 marsi e deri më 29 prill, ashtu që secila ditë do t’i llogaritet 20 euro. Në vendimin e Themelores thuhet se pjesa e mbetur e dënimit, në shumën prej 1,840 euro, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

K.P. kishte postuar foton ku shiheshin dy armë automatike të përcjellë me mesazh kërcënues ndaj Thaçit.