Formulë dykuptimësie për përfaqësimin e Kosovës në dialog

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë gjetur formulën e përfaqësimit të Kosovës në dialogun me Serbinë, dhe atë do ta përfshijnë në Platformën për këtë proces, kanë thënë burime të KOHËS në Qeveri. Secili nga të dy do të mund të thotë se ka rolin udhëheqës në negociata.

Dhe, këtë e kanë bërë të enjten të dy.

Thaçi është thirrur në hierarkinë shtetërore, kur ka argumentuar se ai do t’i prijë ekipit të Kosovës që më 27 qershor do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, për t’u përballur me delegacionin serb.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova ka bartësit e institucioneve të shtetit, përfaqësues legjitimë dhe legalë në hierarkinë institucionale”, ka thënë ai. “Por, për të shtuar vëmendjen dhe kureshtjen tuaj, dëshiroj të potencoj se përgjegjësitë janë shumë të qarta në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Thaçi dhe njerëz të kabinetit të tij vazhdimisht janë thirrur në nenin 4 të Kushtetutës, kur kanë folur për rolin që duhet ta ketë kreu i shtetit në dialog. Pika e tretë e këtij neni thekson se presidenti “është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë”.

Nevoja për të mos i lënë rol Thaçit në dialogun me Serbinë është shtruar prej kur ai ka proklamuar idenë e “korrigjimit të kufirit”, një eufemizëm për shkëmbimin e territoreve.

Kryeministri Hoti, që ka thënë të jetë kundër idesë që ia prek Kosovës kufijtë, ka insistuar po të enjten se shteti do të përfaqësohet nga ai në dialogun me Serbinë.

“Ta kemi të qartë të gjithë: në procesin e dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri i vendit”, ka thënë ai. “Në emër të Republikës së Kosovës për procesin e dialogut flas unë, sepse kompetencat kushtetuese janë të qarta”, ka përsëritur kreu i Qeverisë.

Formula e përfaqësimit të shtetit në këtë proces do të zërë vend në Platformën për dialogun, që kreu i Qeverisë pritet t’ia paraqesë Kuvendit të martën e ardhshme.

Një burim i gazetës në Qeveri ka thënë se me këtë dokument do t’i jepet autorizim i barasvlershëm presidentit, në njërën anë, dhe Delegacionit që do të drejtohet nga kryeministri, në anën tjetër.