Këta janë të gjithë kandidatët që synojnë pozitën e Avokatit të Popullit

18 persona ia kanë mësyrë garës për pozitën e Avokatit të Popullit. Në mesin e atyre që i ka hyrë kësaj gare është edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Enver Hasani, njëri nga protagonistët e skenës institucionale, i cili sa ishte në krye të Gjykatës Kushtetuese, jo rrallë ka shkaktuar debate të ashpra politike e juridike për shkak të vendimeve në institucionin që ka drejtuar, i ka hyrë një gare tjetër për post publik.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese po synon që për pesë vjetët e ardhshëm të jetë Avokat i Popullit.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar vetë profesori Hasani. Ai ka thënë se tash u mbetet deputetëve se a do të votojnë pro tij, ose jo.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, konkursi për këtë institucion është mbyllur të hënën që shkoi. E përveç Hasanit, garës për këtë pozitë i kanë hyrë edhe 17 persona të tjerë.

Gazeta Express ka siguruar listën me emrat e kandidatëve të tjerë për këtë pozitë.

Sipas kësaj liste, për këtë pozitë kanë konkuruar edhe Gëzim Latifi, Naile Alaj, Musa Dragusha, Besim Myrtezani, Arben Muhameti, Rozafa Ukimeraj-Çuni, Basri Kastrati, Valdete Hyseni, Sadik Kryeziu, Shqipe, Ibraj- Mala, Edona Hajrullahu, Valon Leci, Alban Idrizi, Naim Qelaj, Vebi Mujku, Xhavit Shala e Ekrem Jakupi.

Ndryshesipas Kushtetutës, Avokatin e Popullit e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Kushtetuta thotë që Avokat i Popullit ka të drejtë të zgjidhet çdo shtetas i Kosovës, “me arsim të lartë, me karakter e moral të lartë, i ndershëm, me eksperiencë dhe njohuri të dalluara në fushën e të drejtave të njeriut”.

Avokati i tanishëm i Popullit, Hilmi Jashari, është në fundin e mandatit të tij. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë në fillim të korrikut të vitit 2015. /Gazeta Express/