Alarmuese: COVID-19 mbush Infektivën, hapen dyert e klinikave tjera për pacientë

Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, ka bërë që tri klinika të QKUK’së, të kthehen si asistencë për Klinikën Infektive, në mënyrë që të përballohet një fluks më i lartë për pacientët që kanë nevojë për tretman mjekësor. Sipas MSH’së, aktualisht janë mbi 100 pacientë që kërkojnë kujdes shëndetësor, raporton Express.

Duke parë që shtimi i rasteve të Covid-19 në të njëjtën kohë ka rezultuar me rritje edhe të numrit të personave që kërkojnë tretman spitalor në bashkëpunim me SHSKUK-në është rikthyer mobilizimi i plotë në kapacitetet e Klinikës së Pulmologjisë, të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe të Mjekësisë Sportive si asistencë për Klinikën Infektive për të përballuar një fluks më të lartë të pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor”, kanë deklaruar nga MSh’ja.

Siç njofton Ministria, Mjekësia Sportive, hapet nga dita e martë, 23 Qershor 2020 dhe në të vendosen rastet që kanë nevojë për CPAP dhe të intubuar.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë ministri kanë dhënë detaje edhe për kapacitetet që ka Kosova në menaxhimin klinik të koronavirusit.

“Klinika Infektive ka aktualisht 125 shtretër dhe 6 respiratorë, me mundësi të shtimit të tyre sipas nevojës. Respiratorët e tjerë vijnë ditëve në vijim, por çelësi i luftës me Covid nuk është te respiratorët, por te parandalimi i përhapjes së Covid-19. Në nivel vendi ka rreth 160 respiratorë, përfshirë edhe 20 të fundit që ditë më parë janë siguruar nga BE (Norvegjia, Zvicra dhe Luksemburgu)”, thuhet në përgjigjet e MSH’së.

Deklarojnë se në funksion do të do të jenë edhe repartet infektive të Spitaleve të Përgjithshme (rajonale), ato që kanë kushte, sipas vlerësimit të bërë nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, siç është Reparti i Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Prizrenit.

“Ky moblizim i kapaciteteve spitalore nënkupton rreth 500 shtretër që mund të vihen në funksion të trajtimit spitalor të Covid-19, pavarësisht se shumica e rasteve të reja të zbuluara gjatë qershorit, janë me simptomatologji të lehtë apo pa simptoma dhe mund ta tejkalojnë sëmundjen përmes vetizolimit 2 javor në shtëpi, duke monitoruar vetë gjendjen e tyre dhe duke kërkuar edhe ndihmën e profesionistëve shëndetësor varësisht prej gjendjes së tyre”, kanë thënë nga ky institucion.

Ndryshe, numri i pacientëve të infektuar me koronavirus që po trajtohen në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ka arritur në 93.

Përmes raportit 24 orësh, Klinika ka bërë me dije se pesë raste janë në gjendje kritike dhe janë duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv, derisa 41 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Nga Infektiva sot do të lirohet një rast i shëruar nga infeksioni me Covid- 19 dhe një rast pozitiv në gjendje stabile për vetizolim në shtëpi.

“Sot, lirohet 1 rast i shëruar nga infeksioni me Covid- 19 dhe poashtu, lirohet 1 rast pozitiv në gjendje stabile për vetizolim në shtëpi. 41 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Ne repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste në gjendje kritike”, thuhet në raport.