Kush do të udhëtojë në Washington me 27 qershor?

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë do të vendosin vetë për përbërjen e delegacioneve që do të përfaqësojnë dy shtetet në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Kështu kanë deklaruar nga zyra e përfaqësuesit amerikan për dialogun, Richard Grenell në një përgjigje për Gazetën Express.

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në takimin e palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë.

Me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia do të ulen pas dy vitesh në tavolinë të dialogut, në fazën e fundit të bisedimeve drejt marrëveshjes së paqes në mes të dy shteteve.

Reklama e sponzorizuar

Se kush do të përfaqësojë dy shtetet në këtë takim, sipas zyrës së përfaqësuesit amerikan në dialog, Richard Grenell varet nga dy shtetet.

Dick Custin nga zyra e Grenellit ka bërë të ditur se për palët që udhëtojnë në Washington vendoset në qeveritë e dy shteteve, Kosovës e Serbisë.

“Sa i përket përbërjes së palëve që do të udhëtojnë, ju lutemi kontaktojini qeveritë e Serbisë dhe Kosovës”, kanë thënë sot gjatë ditës nga zyra e Grenellit.

Megjithatë, në vend ende nuk është finalizuar se kush do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara. Kryeministri Avdullah Hoti që po vazhdon të insistojë se do të jetë kryesori në dialog ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të finalizohet ekipi.

Ai ka bërë të ditur se në takim do të jenë dy presidentët dhe dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë takim do të jenë dy presidentit dhe dy kryeministrat, para se me ardhë kam pasur takim me Grenellin, ku fokusi më i madh i këtij takimi do të jetë i frytshëm, dy tema të mëdha, çështja e hekurudhave dhe autostradës, agjenda do të jetë me fokus zhvillimi ekonomik në mes dy vendeve”, tha Hoti në emisionin Pressing, javën e kaluar.

Përveç Hotit, Express nga burime brenda Qeverisë merr vesh se në Washington do të shkojë edhe shefja e kabinetit të kryeministrit, Ardita Dushi, si dhe njëri nga zëvendëskryeministrat, që me gjasë do të jetë zëvendësi i parë i Hotit në kryeministri, Besnik Tahiri.

Nga ekipi i presidentit, përveç kryeministrit sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe shefi i stafit, Bekim Çollaku, mirëpo, që një informacion i tillë nuk është konfirmuar deri më tani nga presidenca.

Në vend ka pasur disa përplasje në distancë në mes të Hotit dhe Thaçit lidhur me atë se kush do të jetë kryenegociatori i palës kosovare. Kryeministri përmes një takimi ka mbledhur partitë politike në “Forumin e Liderëve”, ku është folur për qëndrimin e Kosovës karshi dialogut.

Për takimin në Shtëpinë e Bardhë ka folur edhe i dërguari amerikan në dialog, Richard Grenell në media.

“Ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne i ftojmë personat që janë të ulur në karriget e presidentit dhe kryeministrit. Kjo është ajo që ne bëjmë. E kemi bërë për Kosovë, e kemi bërë për Serbinë. Ne i ftojmë personat zyrtarë që janë të ulur në ato karrige, ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne nuk jemi aspak të përfshirë në këtë”, ka thënë Grenell kur është pyetur për përbërjen e delegacionit.