COVID-19 dhe robotizimi po rrezikojnë me miliona vende pune në Evropë

Rreth 53 milionë vende të punës në Bashkimin Evropian është paraparë që të robotizohen deri në vitin 2030, gjë kjo që do të mund të përshpejtohej dukshëm në kohën e pandemisë së koronavirusit dhe për ç’arsye deri në rreth 20 për qind e fuqisë punëtore do të detyrohet t’i nënshtrohet procesit të përfitimit të aftësive dhe kualifikimeve të reja, ka treguar një studim i ri.

Të dhënat janë pjesë e rezultatit të hulumtimit të institutit global “McKinsey” rreth së ardhmes së punës në Evropë dhe ndikimit të COVID-19 dhe automatizimit në punësimet në BE.

Në kuadër të studimit është bërë e ditur se afro 59 milionë qytetarë në BE, që i bie rreth 26 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve, do të mund që brenda një të ardhmeje të afërt të ballafaqohen me pasojat ekonomike të pandemisë dhe masave të kufizimit – të cilat kanë nënkuptuar shkurtimin e orareve të punës dhe pagave, por edhe ndërprerjen e përkohshme apo të përhershme të marrëdhënies së punës.

Kriza me COVID-19 ka ndikuar në treg

Kriza me pandeminë e COVID-19 ka pasur ndikim të rëndësishëm në tregun e punës të Bashkimit Evropian, megjithatë koronavirusi nuk e përbën të vetmin shkas për ndryshimin dhe formësimin e së ardhmes së punës në Evropë.

Vendet e punës, të cilat janë rrezikuar shkaku i pandemisë si dhe automatizimit, ndryshojnë bazuar në sektorë, mirëpo grupet më të rrezikuara të punës u përkasin tri sferave – tregtisë, prodhimit dhe hotelierisë.

Numri i qytetarëve evropianë të papunë mes atyre që janë të aftë për punë do të zvogëlohet për rreth 13.5 milionë, që përkon me rreth katër për qind të totalit, deri në fund të dekadës. Rënia do të jetë më e theksuar në Gjermani, me rreth katër milionë dhe në Itali me përafërsisht 2.5 milionë punëtorë më pak.

Automatizimi dhe ngrirja e aktiviteteve të caktuara ekonomike, të cilat do të zhvillohen me shpejtësi të ndryshme, do të prodhojë uljen e numrit të vendeve të fundit dhe do të përshpejtojë procesin e krijimit të profesioneve të reja.

Vendet e punës që kërkojnë shkathtësi të tjera

Në anën tjetër, COVID-19 do të mund ta përshpejtonte procesin e kapërcimit nga fuqia punëtore në vende të reja të punës, të cilat kërkojnë shkathtësi të tjera, por në anën tjetër, kriza e shëndetit publik do të mund ta thellonte dallimin midis më shumë dhe më pak punëtorëve me arsimim të lartë – dhe kjo gjë do të ndryshojë në mesin e shteteve anëtare të BE-së, thuhet në hulumtim.

Hulumtimi ka treguar po ashtu se rreth 50 për qind e evropianëve jetojnë në ekonomi stabile, të cilat tërheqin banorë të rinj dhe se rajonet evropiane, ku jetojnë rreth 30 për qind e evropianëve, përballen me uljen e numrit stabil të banorëve të aftë për punë. Krejt kjo për shkak të imigracionit apo plakjes së popullatës.

Numri i qytetarëve evropianë të aftë për punë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të dyta evropiane, është dyfishuar nga viti 2003 deri më 2018, prej tetë në 16 milionë, ka treguar hulumtimi. \ Al-Jazeera