Alarmi nga Maqedonia: Në Serbi, testet negative për COVID-19 mund të blihen në pompa të benzinës

Portali maqedonas MKD raporton se qytetarët e këtij vendi kanë raportuar tek autoritetet përgjegjëse se testet negative në koronavirus mund të blihen në Serbi edhe në pompa të benzinës.

Tash, që Maqedonia ka vënë kusht që qytetarët që futen nga Serbia të kenë një test negativ në COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë, ata po gjejnë mënyra për të shmangur testimin e vërtetë, falë edhe ofertës.

Sipas raportimit të MKD.mk testet e falsifikuara negative mund të blihen nga 50 deri në 65 euro, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Transportuesit maqedonas të detyruar të paraqesin një test PCR jo më të vjetër se 72 orë për të hyrë në Maqedoni, tregojnë se në jug të Serbisë po bëhet biznes i mirë, por i paligjshëm. Testet negative PCR madje mund të blihen në një pikë karburanti në Vranjë”, ka shkruar MKD.

Sipas këtij portali, teste të tilla të falsifikuara mund të blihen edhe në Nish.

“Qytetarët maqedonas që kthehen në vendlindje përmes Aeroportit të Nishit u kanë raportuar shërbimeve të sigurimit se ata kanë pasur mundësinë për të blerë një test të falsifikuar negativ PCR për 50 euro në aeroport”, shkruan tutje MKD.

Sipas protokollit, çdo qytetar maqedonas në momentin e hyrjes në vend duhet të tregojë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë, e nëse nuk e bën këtë, atëherë dërgohet në karantinë për 14 ditë.

Qeveritë e Maqedonisë dhe Serbisë nuk kanë reaguar në këto paralajmërime të qytetarëve.

Maqedonia është vendi më i prekur në rajon nga COVID-19.

Deri më tash ky vend ka shënuar 5.311 raste pozitive, ndërkohë që 251 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.

Image