Ministri Zemaj kërkon që të prekurit me COVID-19 të trajtohen edhe në spitalet regjionale

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ka vizituar Spitalin Regjional të Gjilanit dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Zemaj ka thënë se institucionet janë duke u përgatitur sa i përket ngritjes së kapacitete shëndetësore dhe personat të cilët janë të infektuar me virusin COVID-19 dhe që kanë nevojë për trajtim mjekësor, duhet të shtrihen në spitalet regjionale e jo të barten në Prishtinë.

Zemaj ka deklaruar se situata me pandeminë është nën kontroll.

“Gjithçka është nën kontroll. Sot jemi këtu ë të rrisim kapacitetet që rastet të cilat nuk janë me emergjencë të mos barten në Qendrën Klinike Infektive në Prishtinë. Situata është nën kontroll dhe është e vërtetë se ka rritje të numrit të rasteve, por politika ime dhe e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është edhe rritja e numrit të testimeve që të kemi nën kontroll qoftë rastet e kontaktit, qoftë rastet e reja, të cilat mund të paraqiten nga lëvizjet, por edhe nga mërgata e cila pritet të vijë”, ka thënë Zemaj.