Ministri i Arsimit arsyeton zëvendësin e tij student

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka arsyetuar emërimin e një studenti për zëvendës të tij.

Likaj, sot, ka raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji për gjendjen në arsimin e lartë dhe pashmangshëm është pyetur edhe për Driton Bardhecin, studentin që është në pritje të diplomimit, por që ka marrë postin në Qeveri.

Likaj ka thënë se Bardheci po ndjek dy fakultete njëherësh dhe se në njërin, atë privat ka notë mesatare 9. Në atë publik, bazuar në atë që ka dal në publik, nota mesatare e Bardhecit është 6.81.

Reklama e sponzorizuar

Shoqëria civile e ka kritikuar ashpër këtë emërim të kryeministrit Avdullah Hoti, por edhe si propozim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Sa i përket zëvendësministrit, unë e kam pasur student, ai studion në dy kolegje, një në privat dhe një publik. Në një e ka notën mesatare 9. Nuk është rast i shkëlqyer, por është i njohur me problemet e rinisë. Në të dy fakultetet është në përgatitje të diplomës. Unë kam menduar se në momentin që strukturat e kanë deleguar për zv.ministër, me e fokusu te problemet e rinisë”, tha Likaj para deputetëve, përcjell KP-ja.

Vetë Bardheci ka thënë se pandemia ka shtyrë diplomimet e tij.