Bruto Produkti Vendor në tremujorin e parë shënoi rritje për 1.29%

Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK) ka publikuar Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e parë (TM1) 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

BPV në TM1 2020 shënon rritje reale për 1.29%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2019). Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (5.72 %); aktivitetet profesionale dhe administrative (4.20%); industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, furnizimi me ujë (4.12%); informacioni dhe komunikacioni (1.47%); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.17%); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor (0.30%).

Ndërkaq, rënie reale në këtë tremujor kishte te aktivitet ekonomike të: arteve, argëtimit dhe çlodhjes dhe aktivitetet e tjera të shërbimit (-26.84%); ndërtimit (-12.40%); bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit (-0.15%); administrimit publik, arsimit dhe shëndetësisë (-0.10%).

Kurse, BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve, në këtë tremujor, ka pasur rritje te: eksporti i mallrave dhe shërbimeve (29.54%); importi i mallrave dhe shërbimeve (4.12%); dhe te shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (0.22%).

Ndërsa, rënie kishte në të dhënat e: formimit të bruto kapitalit (-9.35%) dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (-1.04%).

BPV-ja tremujore (TM1 2020), sipas aktiviteteve ekonomike, është paraqitur në nivelin A*10 të agregimit të llogarive kombëtare.