Komisioni Evropian mbështet rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetje për rifillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili, siç ka thënë, është thelbësor për përparimin e këtyre vendeve drejt BE-së.

Ajo këto komente i ka bërë gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Bruksel.

Sipas shërbimit për shtyp të KE-së, Vuçiq dhe Ursula von der Leyen u pajtuan për rëndësinë e përparimit të Serbisë në reformat e nevojshme për anëtarësimit në BE, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Është thënë gjithashtu, se presidentja e KE-së ka inkurajuar udhëheqjen serbe, që pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të zhvillojë një dialog të mirëfilltë me të gjitha forcat politike, me qëllim të inicimit të reformave, të cilat kërkojnë një konsensus të gjerë.

Shërbimi për shtyp konfirmoi se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, ishte gjithashtu i pranishëm në këtë takim.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ishte në Bruksel. Pas takimit me Hotin, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se është e nevojshme të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Gjatë takimit tonë, theksova nevojën urgjente për përparim në dialogun Beograd-Prishtinë. Emërimi i fundit i ambasadorit, Mirosllav Lajçak si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ilustron fokusin e BE-së në këtë dialog, vazhdimi i të cilit është paraparë të ndodhë në muajin korrik në Bruksel”, tha Michel në një deklaratë.

Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhereshme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Barrierat tregtare me Serbinë tani janë hequr.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka paralajmëruar mbajtjen e një samiti në Francë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, në javën e tretë të korrikut.