FIFA miraton fondin e ndihmës 1,5 mld $ për klubet e futbollit në vështirësi

Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në një videokonferencë të enjten në darkë, miratoi fondin 1,5 miliardë dollarë në grante dhe kredi, për t’u ardhur në ndihmë Federatave të futbollit të goditura nga koronavirusi.

Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, tha se fondi i ndihmave “u miratua njëzëri” nga anëtarët e këshillit dhe theksoi se do të ushtrohen “kontrolle rigoroze” për mënyrën se si do të shpenzohen paratë.

Të gjitha 211 federatat anëtare do të kenë të drejtë ndaj “një granti themelor solidariteti” prej 1 milion dollarësh secila, përveç 500 mijë dollarëve që duhet të investohen në futbollin e  femrave.

Reklama e sponzorizuar

Për më tepër, federatat mund të aplikojnë edhe për një kredi lehtësuese COVID-19 me vlerë 35% të të ardhurave të tyre deri në maksimumi 5 milionë dollarë secila.

Infantino premtoi “kontrolle rigoroze të përdorimit të fondeve, nëpërmjet auditimeve” dhe se do të ketë “kushte shumë të qarta” për shlyerjen e kredive.

FIFA po e financon fondin e jashtëzakonshëm nga rezervat e saj, me 328 milionë dollarë për mbulimin e granteve dhe 556 milionë dollarë për të financuar kreditë – tha Infantino. “Klubet dhe federatat janë në rrezik. Në disa pjesë të botës, futbolli nuk ka rinisur. Ne duhet t’i ndihmojmë”.

Krijimi i fondit për mbështetjen e klubeve u njoftua nga FIFA në mars, kur futbolli në pjesën më të madhe të globit ndali për shkak të përhapjes së pandemisë.

Burimi: France24