A ka bazë ligjore për ndëshkimin e personave që nuk respektojnë masat kundër Covid -19?

Nga 1.000 deri në 8.000 euro mund të ndëshkohen personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme.

Këto gjoba parashihen me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në të cilin janë duke u thirrur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës se do t’i përdorin kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid -19.

Pas rritjes se numrit të personave të infektuar me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen Covid-19, ditëve të fundit, autoritetet kompetente në Kosovë kanë paralajmëruar se shkelësit e rregullave kundër koronavirusit do të gjobiten dhe ndëshkohen sipas këtij ligji.LEXONI EDHE KËTË:Zemaj: Bartja e maskave, obligative

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë të martën se “inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunalë do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19”.

Rekomandimet parandaluese për Covid-19, të IKSHPK-së, thotë ai, përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen. Pikë- rëndesë kryesore është që bartja e maskave të jetë obligative.

“Masa të tjera të veçanta që parashihen janë edhe: distanca fizike, dezinfektimi, ajrosja e lokaleve, higjiena, dhe masa të tjera të detajuara për punonjësit, zyrat, institucionet dhe bizneset”, tha Zemaj në një postim në Facebook.

Zemaj në një postim në Twitter ka thënë se ndëshkimet do të bëhën në bazë të neneve 53,54,55 dhe 56 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Në këto nene thuhet se për kundërvajtje administrative sanitare të parashikuara në bazë të këtij ligji, “shqiptohen dënime me gjobë nga organet e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, personi fizik dënohet me gjobë prej 1000 – 2000 euro, kurse personi juridik me gjobë prej 3000 deri 8000 euro”.

  • Kjo vlen, nëse ai/ajo konstaton dhe nuk paraqet sëmundjen, edhe nëse nuk i merr masat e parashikuara për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së mëtejme të infeksionit.
  • Gjithashtu, personi fizik dënohet me gjobë prej 1.000 euro deri 2.000 euro, kurse personi juridik me gjobë prej 3.000 euro deri 8.000 euro , nëse nuk e zbaton masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme; nëse pranon në punë, përkatësisht mban në punë aktive personin për të cilin është konstatuar se lëngon nga sëmundja e caktuar ngjitëse; nëse nuk ia bën të mundshme organit kompetent shëndetësor që t’i kryejë kontrollet e parashikuara të personave.
  • Personi fizik dënohet me gjobë prej 250 euro deri 1.000 euro, për kundërvajtje nëse refuzon të hospitalizohet dhe izolohet në institucionin shëndetësor, përkatësisht në objektin e caktuar për këtë qëllim kur është sëmurë ose kur dyshohet se është sëmurë nga sëmundja e caktuar ngjitëse; nëse aplikon për punësim, përkatësisht vazhdon të punojë në mënyrë aktive ndonëse është informuar se lëngon nga sëmundja e caktuar ngjitëse; nëse nuk ia bën të mundshme organit kompetent, që të ushtrojë kontrollet e paparashikuara shëndetësore.
  • Personi fizik dënohet me gjobë prej 500 euro deri 1.000 euro, për kundërvajtje nëse ushtron veprimtari të caktuar pa kontrollin paraprak sanitar ose në qoftë se refuzon që t’i nënshtrohet kontrollit sanitar.

Edhe kyeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të hënën pas një takimi të Komitetit për koordinimin e vlerësimit të situatës dhe pandemisë Covid-19, ka thënë se çdokush që nuk respekton masat paraqet vepër penale.

Për mbikëqyrjen e këtyre masave është i autorizuar Inspektorati sanitar, që funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës.

Inspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se inspektorët vazhdimisht janë në terren dhe do monitorojnë zbatimin e masave parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19. Ai shtoi se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm.

“Në kohën e pandemisë kemi 65 inspektorë në nivel komunal dhe atë qendror. Por, besoj që së shpejti do të kemi edhe një staf mbështetës, pasi ministri i Shëndetësisë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës. Presim që të na mbështesin edhe 20 inspektorë të tjerë”, tha Tërshnajku.

Ligj i veçantë për pandeminë?

Por, juristët në Kosovë nuk e shohin vepër penale mosrespektimin e masave, pasi sipas tyre, për një çështje të tillë duhet të ketë ligj të veçantë për pandeminë Covid-19.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, vepër penale është vetëm nëse ata persona që e dinë se janë infektuar përmes testimit, nuk marrin masa për mospërhapjen e sëmundjes.

“Në këtë drejtim të gjitha thirrjet e Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarëve të qeverisë, se do të ketë pasoja juridike për personat që nuk zbatojnë këto masa, më shumë janë retorikë sesa që mund të prodhojnë efekte juridike. E vetmja mënyrë që shteti t’i përdorë mekanizmat që ka në dispozicion, për të ndëshkuar qytetarët të cilët nuk respektojnë, masat është miratimi i Ligjit”, tha Miftaraj.

Ai kujton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në muajin mars kur është shpallur jo-kushtetues një vendim i Ministrisë së Shëndetësisë, duke konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“E përsëris edhe njëherë se Gjykata Kushtetuese e ka bërë në mënyrë të qartë në akt-gjykimin e saj, se masat që janë në Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, por edhe një seri masash që janë ndërmarrë në atë kohë, nga ana e Qeverisë Kurti, janë shpallur kundër-kushtetuese. Dhe në mënyrë të qartë, Gjykata ka thënë se kundërvajtjet që janë të përcaktuara më vendime administrative nuk mund të jenë të aplikueshme dhe nuk mund të zbatohen ndaj qytetarëve të Republikës se Kosovës. E njëjta vlen edhe për Qeverinë Hoti dhe për ministrin aktual Zemaj,” thekson ai .

Ndërkohë ka reaguar edhe Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, duke kërkuar që këto dënime të mos ekzekutohen në asnjë mënyrë, sepse do të binin në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

KMDLNJ shton se mosbartja e maskës nuk është vepër penale, dhe se “në vend të kërcënimit, duhet të krijohet një mundësi që qytetarët të furmizohen me masa mbrojtëse pa pagesë”.

“Kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj nuk kanë përgjegjësi për rritjen e numrit e të infektuarve me Covid-19, por e kanë detyrim dhe përgjegjësi që qytetarët, sidomos ata që mundësitë materiale i kanë të vogla, të furnizohen me mjete mbrojtëse pa pagesë, aq më parë që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare për këtë”, thuhet ne reagim.

Edhe Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, ka thënë se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e personave të cilët nuk zbatojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Jashari tha se “lidhur me ndëshkimet, bazë jurike duhet konsideruar dy akt-gjykimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Ndryshe, me qëllim të mbrojtjes nga Covid-19, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, më 23 mars kishte vendosur ndalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.

Edhe në atë kohë, vendimi i qeverisë ishte i bazuar në dy ligje, Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe Ligjin për shëndetësi.

Ky vendim ishte shpallur kundër-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që ishte bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, këto dy ligje nuk e autorizojnë qeverinë që të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, mirëpo e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të hënën 122 raste të reja me koronavirus. Aktualisht është thënë se në Kosovë janë edhe 1,244 raste tjera aktive me këtë virus.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 2,799 persona të infektuar me koronavirus. Prej tyre 49 pacientë kanë vdekur.