Bajrami takoi kryesuesen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, dhe përfaqësuesit e AKP-së e ARKEP

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me kryesuesen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Fortuna Shaqiri Haxhikadrija, është takuar edhe me udhëheqësit e AKP-së dhe me përfaqësuesit e ARKEP-it.

Në takimin me kryesuesen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Fortuna Shaqiri Haxhikadrija, ka diskutuar për aktivitetet e Qeverisë Hoti për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për fushën e ndihmës shtetërore si segment i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.

“Bajrami e njoftoi Shaqiri Haxhikadrijan për angazhimin e stafit të Departamentit të Ndihmës Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Financave, dhe për rëndësinë që ka ky Departament në ofrimin e ekspertizës profesionale për Qeverinë e Kosovës rreth zbatimit të politikave që synojnë fuqizimin e bizneseve kosovare.

Ndërsa, kryesuesja e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Fortuna Shaqiri Haxhikadrija shprehi gatishmërinë e Komisionit, për të thelluar bashkëpunimin me Ministrinë e Financave për funksionimin sa më të mirë të strukturave për ndihmë shtetërore në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Me drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Valon Tolaj, Bajrami diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

“Ministrja Bajrami i njoftoi përfaqësuesit e AKP-së lidhur me programin e Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë me masat për rimëkëmbje ekonomike. Ajo theksoi se Qeveria e Kosovë po punon intensivisht në krijimin e politikave për dinamizimin e ekonomisë pas pasojave të shkaktuara nga pandemia dhe në këtë drejtim, Bajrami vlerësoi se AKP ka rol të rëndësishëm në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Udhëheqësit e AKP-së e njoftuan ministren Bajrami me punën dhe aktivitetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shprehën gatishmërinë e tyre për koordinim të aktiviteteve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, thuhet më tej në njoftim.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami priti në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) me të cilët diskutoi për zhvillimet e fundit në fushën e telekomunikacionit, veçanërisht për procesin e hartimit të Rregullores për pagesat në tregun e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, për rregullimin e pagesës për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe tregut të shërbimeve postare.

Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të zhvillimit të sektorit të telekomunikimit si një segment i rëndësishëm për ekonominë e vendit. /Telegrafi/