GPLS: Kosova duhet ta konsiderojë një plan të gjelbër për rimëkëmbjen ekonomike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) rekomandon që Plani i Rimëkëmbjes Ekonomike të mos fokusohet vetëm në ekonomi, por i njëjti të jetë më gjithëpërfshirës dhe të mbroj mjedisin njëkohësisht, kjo duke marrë parasysh gjendjen alarmante të ndotjes para shpërthimit të krizës.

GLPS thekson se do ishte shumë vizionare nëse ekonomia dhe mjedisi do të viheshin krahas në procesin e ripërtëritjes post COVID-19 për Kosovën.

“Në vazhdën e përballjes me pandeminë pas Pakos Emergjente Fiskale, pako e rimëkëmbjes, me objektiva e kritere të qarta të mbështetura në zhvillim të qëndrueshëm është thelbësore. Kjo Pako e ardhshme nuk duhet të anashkaloj trendët në BE, e cila duke ruajtur ekonominë do të duhet të promovoj një rimëkëmbje të sektorëve ekonomik të cilët janë të kujdesshëm e punojnë në mbrojtjen e mjedisit. Mekanizmat të cilët do të përdoren duke u nisur nga buxheti i Kosovës, fondet apo edhe instrumente të tjera duhet të shfrytëzohen me kujdes për të ruajtur këtë start të mbarë në drejtim të një mjedisi më të shëndetshëm. Prandaj GLPS vlerëson që së pari, Kosova duhet të sigurohet që programet e rimëkëmbjes ekonomike t’u japin përparësi edhe investimeve që mbështesin energjinë e ripërtërishme, lehtësime ekonomike për prodhuesit të cilët reduktojnë emisionet e gazrave serrë ose ndihmë për konsolidimin e bizneseve, veçanërisht në sektorët me intensitet të ulët karboni, duke ulur drastikisht emetimet”, thuhet në njoftimin e GPLS-së.

Reklama e sponzorizuar

Si përfundim GLPS konsideron që Kosova duhet të orientohet medoemos drejt një plani të gjelbër të rimëkëmbjes ekonomike duke u nisur nga rreziku që i kanoset mjedisit përfshirë këtu dhe ajrit. /Telegrafi/