Dy raste pozitive me COVID-19 në Onkologji

Dy mjekë në Klinikën e Onkologjisë në Kosovë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe janë në vetëizolim, ka njoftuar drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

“Në dy ditët e fundit kemi dy personel të cilët janë testuar pozitivë dhe janë vetëizoluar. Shpresojmë pjesa e tjetër e stafit të jetë në gjendje të mirë, të mos infektohet dhe të vazhdojmë punën në trajtimin e pacientëve. Të prekurit kanë pasur temperaturë jo shumë të lartë dhe dhembje të lehta të muskujve. Janë duke u rikuperuar. Nuk dihet burimi i infeksionit. Ata ndoshta kanë pasur kontakte nga jashtë me familjarë ose me shoqëri kur kanë dal jashtë vendit”, ka thënë Kurtishi për KosovaPress.

Ai ka treguar se disa pjesëtarë të stafit janë testuar dhe pritet të testohen edhe disa tjerë.

“Janë testuar disa e disa pritet të testohen. Brenda dy-tri ditëve do të marrim vesh se si është gjendja e pjesës tjetër të stafit”, ka thënë Kurtishi.