A do t’i votojë VV marrëveshjet ndërkombëtare, Selimi: Mazhoranca ka partnerë tjerë

Lëvizja Vetëvendosje duket se edhe në seancën e sotme të Kuvendit nuk do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi ka thënë se mazhoranca  ka partnerë të tjerë që do të mund të votojnë këto marrëveshje.

Në seancën e sotme të Kuvendit do të votohen pesë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Opozita që përbëhet nga VV’ja dhe PDK’ja nuk kanë marrë pjesë në votimin e këtyre marrëveshjeve në seancën e 23 qershorit.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq dje, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Bedri Hamza ka deklaruar se megjithëatë, PDK’ja do t’i votojë këto marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express ka lënë të nënkuptohet se partia më me madhe në Kuvend nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Mazhoranca po thotë se i ka votat dhe se ka partnerë të tjerë. Ta shohim”, ka thënë shkurt Selimi.

Sot pritet votimi i pesë projektligjeve:

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit  për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.