Shqipëria e Kosova tani me zyrë të përbashkët konsullore në Kopenhagë

Tiranë, 9 korrik – Flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës valëviten së bashku në Kopenhagë.

Në kuadër të përfaqësimit me ambiente të përbashkëta diplomatike dhe konsullore nëpër botë, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka prezantuar selinë e përbashkët të Përfaqësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Konsullore të Republikës së Kosovës në Kopenhagë.

Sipas Cakaj, flamujt e dy shteteve të një kombi valëviten krenarisht pranë njëri-tjetrit, atje ku Përfaqësia e Shqipërisë dhe Zyra Konsullore e Kosovës ndajnë të njëjtën hapësirë.

“Ja një vepër tjetër madhështore e bashkëpunimit vëllazëror mes Kosovës e Shqipërisë”, thekson Cakaj.

“Flamujt e dy shteteve të një kombi valëviten krenarisht pranë njëri-tjetrit në Kopenhagë aty ku përfaqësitë tona konsullore ndajnë të njëjtën hapësirë brenda Ambasadës së Republikës së Shqipërisë”, shprehet Cakaj/ATSH.