OAK rikërkon që mediat të përfshihen në ligjin për sponsorim

Kërkesa që sektori medial të përfshihet në kuadër të Ligjit për Sponsorizim, përmirësimi i infrastrukturës ligjore për këtë sektor e mosfunksionimi i Ligjit për të Drejtat e Autorit, ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe përfaqësuesve të mediave me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet sektori medial si pasojë e pandemisë.

Sipas një komunikate, OAK ngriti si çështje rëndësinë e përfshirjes së mediave në kuadër të Ligjit për Sponsorizim që si i tillë do të ndihmonte shumë bizneset e sektorit medial.

Reklama e sponzorizuar

“Inicimi i plotësim ndryshimit të këtij ligji duke shtuar si nen në ligjin aktual, jo vetëm që është nevojë por është edhe një ndihmë e madhe pasi që përfshirja e mediave në këtë ligj do të ndikonte që ky sektor të qëndrojë më mirë financiarisht, do të pavarësohen dhe do të kemi media shumë të fuqishme. Gjendja e rëndë në këtë sektor, mungesa e rregullimit të infrastrukturës ligjore, mungesa e IP adresave dhe domenit për Kosovën si dhe marketingu i çrregullt u ngritën ndër të tjera në këtë takim”, thuhet në komunikatë.

Dardan Belegu, përfaqësues nga RTV Dukagjini, theksoi vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar mediumet gjatë kësaj periudhe dhe operimet jashtë planifikimeve, duke bërë që mediat që jenë në një pozitë të vështirë financiare, andaj përkrahja e tyre nëpërmjet këtij ligji kishte me qenë një lehtësim për këtë sektor.

Zekirja Shabanaj dhe Ilir Mirena përfaqësues nga mediat online theksuan rëndësinë e përcaktimit të kritereve të sakta dhe kushteve që duhet të përmbushin mediat gjatë regjistrimit në KPM, në mënyrë që të bëhet filtrimi i tyre dhe diferenca mes mediave serioze dhe joserioze.

Ministrja Dumoshi falënderoi për takimin dhe u shpreh e hapur për bashkëpunim, duke theksuar që këtë kërkesë do ta trajtojë me prioritet, duke organizuar grupin punues për të shiquar mundësitë e veprimit në këtë drejtim. Dumoshi po ashtu shpalosi prioritetet e këtij digasteri dhe angazhimet që janë duke i ndërmarr që në kuadër të pakos së rimëkëmbjes të përfshihen edhe kultura, rinia e sporti. Dumoshi shpalosi që janë duke planifikuar grante dhe subvencione në projekte të ndryshme në mënyrë që të përkrahen të rinjët në vetëpunësim.

OAK kërkon nga të gjitha mediat përkrahje në mbështetjen e të drejtave të tyre për ndryshimin e një neni të këtij ligji duke e marrë parasysh se mediat janë në gjendje shumë të rëndë e sidomos pas fillimit të pandemisë, ku një pjesë e madhe e bizneseve dhe institucioneve e kanë ndërprerë apo reduktuar marketingun që është baza kryesore e të hyrave për mediat.