Spitalet e Beogradit nuk kanë më kapacitete për pacientët me COVID-19

Në Beograd të Serbisë kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar.

Sipas tij, dhjetëra pacientë janë dërguar për trajtim në spitalet e Pozharevcit, Smederevës dhe Mlladenovacit.

Reklama e sponzorizuar

Pas një takimi me drejtorët e spitaleve, Lonçar theksoi se po punohet në çdo drejtim, për të gjetur mundësi të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

“Nëse situata vazhdon me këtë numër të të infektuarve, sistemi shëndetësor do të jetë në telashe”, tha Lonçar.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë në mënyrë që sistemi shëndetësor të sigurojë ndihmë adekuate për të gjithë.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar 17,342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 352 kanë vdekur.

Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri më sot, Serbia ka kryer 471,700 teste për koronavirus.

Serbia regjistron 18 të vdekur nga koronavirusi

Në Serbi gjatë 24 orëve janë shënuar 18 viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Lajmin e bëri të ditur kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila e quajti të premten, si ditën më të rëndë që nga fillimi i pandemisë.

“Deri më tani situata më kritike është në Beograd, pastaj Kragujevc dhe Novi Pazar. Ne po shohim rritje dramatike të numrit të të infektuarve dhe përkeqësim të situatës epidemiologjike në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja serbe tha se aktualisht 130 pacientë po trajtohen përmes respiratorëve.

Më herët, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar, tha se kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.