Projektet e infrastrukturës bllokojnë Prishtinën, ankohen banorët

Pothuajse secila lagje në kryeqytet i është nënshtruar procesit të asfaltimit apo rregullimit të infrastrukturës si pjesë e projekteve komunale.

Një nga këto projekte është edhe asfaltimi i rrugës “Dubrovniku” në qendër të qytetit, e që, sipas qytetarëve, punët vetëm po zvarriten.

Ata thonë se Komuna do të duhej që të menaxhonte më mirë projekte të tilla, derisa shfrytëzimi i kohës së izolimit të qytetarëve, sipas tyre, ka qenë njëra nga zgjidhjet e mundshme për përfundimin e punimeve, raporton KOHA.

Puna, sipas tyre, në këtë pjesë po vazhdon për më shumë se 6 muaj.

Një tjetër pjesë në të cilën, sipas qytetarëve, Komuna është duke zvarritur punët është edhe rruga ‘’Shkëlzen Haradinaj’’ në lagjen ‘’Kolovicë e Re’’, ku, sipas banorëve, puna ka nisur para më shumë se 4-muajsh derisa gjendja e rrugës vazhdon të jetë e rënduar.

E nga Komuna e Prishtinës thonë se situata e krijuar me pandeminë ka ndikuar në vonesën e përfundimit të shumë projekteve në fushën e infrastrukturës.

Përveç këtyre dy projekteve, pa përfunduar ka mbetur edhe projekti i rikonstruktimit të rrugëve në lagjen “Pejton” të kryeqytetit, i nisur në mesin e muajit tetor të 2019-s.