Ministri i Drejtësisë kërkon që lëndët e pazgjidhura për privatizimin në Kosovë të trajtohen me prioritet

Prishtinë, 14 korrik – Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar sot me drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj.

Gjatë këtij takimi, Ministri Selimi dhe drejtori menaxhues i AKP-së, Tolaj, kanë diskutuar për domosdoshmërinë që të trajtohen me prioritet lëndët e pazgjidhur në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit në Kosovë, dhe poashtu shqyrtuan modalitetet e dhënies së pronave shoqërore në shfrytëzim të Gjykatës në Mitrovicë dhe Prizren.

Ministri Selimi tha se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejmë të legjislacionit, i cili do t’u shërbente këtyre institucioneve në ngritjen e efikasitetit në punën e tyre me qëllim të fuqizimit dhe ofrimit të sigurisë juridike të të drejtave pronësore, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Tolaj ka falënderuar Ministrin Selimi për interesimin dhe bashkëpunimin e ofruar duke e siguruar se AKP mbetet e përkushtuar të ofrojë zgjidhje brenda kompetencave të saj në të gjitha çështjet që lidhen me interesin publik.