Bllokohen llogaritë bankare të Telekomit, Sindakata e Punëtorëve paralajmëron protesta

“Të nxitur nga klanet mafioze sot në orën 11:45 janë bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, dhe në këtë mënyrë po shkatërrohet kjo kompani”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj.

Në një konferencë të jashtëzakonshme ai tha se llogaritë janë bllokuar me urdhër të përmbaruesit.

“Ky është një shkatërrim për Telekomin nëse edhe ato pak mjete sa janë tërhiqen nga përmbaruesi. Andaj, sa më parë të lirohen ato llogari në këtë kohë pandemie dhe të rrezikohen 3,500 familje”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Balaj theksoi po ashtu do të bëjnë çmos të mos lejojnë të falimentojë Telekomi, për këtë ai tha se ia ka thënë sot edhe kryeministrit në telefon. Ai tha se Telekomin duhet ta merr shteti në mbrojtje.

“Për neve është e papranueshme, sepse nuk mund të operojmë. Edhe ashtu ne kemi sakrifikuar për uljen e pagave. Kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi të ndërmarrin masa për zhbllokimin e llogarive, ndryshe nga dita e hënë nisin protestat dhe grevat”, tha Balaj.

Ndryshe, në këtë proces gjyqësor që pati përfunduar në arbitrazh për rastin “Z-mobile”, bëhet fjalë për një shumë financiare prej 24.6 milionë euro. /KP/