Mashtrimi me liferim – kompania furnizuese e ka kalkuluar çmimin e qeseve me të pakos

Afro 40 mijë euro është dëmi në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin e një bari, ndërsa që e tërë vlera e sasisë së kërkuar është 50 mijë euro.

Muaj me parë Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar që ta blejë produktin – barin metamizol, shkruan KOHA.

Kompania që fitoi tenderin është “Lego”. Ajo ka ofertuar me çmim prej 2.40 eurosh për pakon e produktit me 6 qese. Por, siç është informuar KOHA, problemet me këtë kompani kanë filluar tek liferimi (sjellja) e produktit që është analgjetik (kundër dhimbjeve). Kjo kompani sasinë e paketimeve e ka “shndërruar” në sasi të qeseve, duke e shumëfishuar vlerën e fitimit.

“Çmimi për pako me 6 qeska pluhur me metamizol ka qenë në kontratë që të paguhet me çmim prej 2.40 eurosh. Ai nuk ka liferuar pako, por copë (qese,) ndërsa që çmimi i qeseve është llogaritur si të jetë i pakos”, i ka thënë ky burim KOHËS.