Mbi 400 gjoba për mosrespektim të masave

Në konferencën për shtyp të zyrtarëve shëndetësorë është raportuar edhe për gjobat e ndara për mosrespektim të masave në luftë ndaj COVID-19.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku ka thënë se inspektorati sanitar po kryen aktivitetin prej orës pesë në mëngjes e deri në mesnatë.

Për katër ditë inspektim, inspektorati sanitar ka ndarë 387 gjoba për personat fizik. 29 gjoba të tjera janë ndarë për subjektet, sipas Tershnjakut.

Reklama e sponzorizuar

”Në vazhdën e inspektimeve dhe të zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, Inspektorati Sanitar në bashkërendim me inspektoratet tjera, është duke kryer aktivitetin nga pesë e mëngjesit deri në 12 të natës. Në terren ka rezultate pozitive. Ne do të bëjmë punën tonë duke mbrojtur shëndetin. Për katër ditë të kryera të inspektimeve kemi arritur të kryejmë 1398 inspektime te subjektet afariste. Kemi shqiptuar 387 gjoba për personat fizik. Për personat juridik, subjekte, kemi shqiptuar 29 gjoba. Kemi lëshuar për katër ditë 371 vendime për izolim”, ka thënë Tershnjaku, ndër të tjera.